Rrogeçët ose arapët e Pojanit në zonën e Maliqit janë një organizim i përvitshëm i cili zhvillohet në çdo 7 Janar ose një ditë pas “Ujit të Bekuar”. Fabula e gjithë organizimit është trembja e së keqes dhe fillimi i jetës së re. Kjo bazohet edhe tek vetë personazhet e përfshira të cilat janë Nusja, dhëndëri, plaku dhe plaka, ujku, ariu, Markua, të cilët mbajnë këmborë të bagëtive që tringëllojnë gjatë të gjithë ritit dhe e gjitha kjo është simbol i përcjelljes së mirësisë.
Për organizatorin Klajdi Lulollari Rogeçët janë një shfaqe popullore me origjinë pagane. Karnavalet janë të veshura me kostume popullore ose veshje që vijnë nga lëkura e dhisë. E gjithë lëvizja e rogeçëve bëhet në të gjithë rrugët e fshatit dhe në çdo biznes e banesë të Pojanit.
Ndërkaq profesor Neshat Mehmeti nga Tetova, i cili e organizon këtë aktivitet edhe në zonat Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, tha se aktiviteti i karnavaleve tregon sa të moçëm jemi si komb. Teksa ai foli dhe për ndryshimet e festimeve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Arapët janë një traditë e hershme me origjinë të lashtë, por gjatë komunizmit kjo traditë u ndalua dhe vetëm pas viteve 90, filloi përsëri organizimi i tyre në zonat e qarkut të Korçës. Ndërsa në fshatin Poja, ky është viti i 4 i një organizimi të mirëfilltë të Rogeçëve.
Gjatë organizimit një moment pikant është filmuar, ku kryetari i Bashkisë Maliq Gëzim Topçiu është kapur “peng” nga rogeçët dhe është detyruar të japi 7.000 lekë tek “nusja” për t’u liruar nga krahët e fortë të rogeçëve.
