Burimi: Fjala.al
Nga Leonard Veizi
Shumica absolute e njerëzve, kur shkojnë në Pogradec kanë disa imazhe të ngulitura në mendje të cilat u regëtijnë që nga çasti që vendosin të marrin rrugën për në Juglindje të vendit. Dhe kjo nuk ka të bëjë me etno-kulturën. Madje dhe nëse mendohet, ajo është e fundit në radhë. Sepse fillimisht gjithkujt në parafytyrim u del liqeni i magjishëm, dhe fill pas kësaj një tavolinë e shtruar me prodhime të trevës ku padyshim nuk do mungojë peshku koran apo belushkat. Dhe një tryezë të tillë e gjen në mes të Pogradecit, në lokalet e shumta të plazhit përballë liqenit, por sidomos merr vlerë andej nga Tushemishti, ku njerëzit gazmorë duan të kujtojnë teto Ollgën e të bëjnë dhe ndonjë foto me shtatoren bronz të saj.
Por shumë pak prej tyre e dinë që në Pogradec ka dhe një muze, i cili në brendësinë e tij ka plot artefakte që rrëfejnë për qytetërimin e lashtë të zonës. Dhe kohët e fundit këtë gjë më së shumti e kanë zbuluar turistët e huaj se sa ata vendas. Ndaj muzeu nuk është asnjëherë bosh.
Muzeu
Muzeu i Pogradecit ndodhet në qendër të qytetit një godinë dykatëshe, por sërish është e vogël për të shfaqur objektet e ruajtura brenda. Që në oborrin e muzeut janë vendosur gjetje arkeologjike, të cilat i bien në sy çdo kalimtari të thjeshtë. Dhe më kureshtari nuk nguron futet brenda.
Muzeu ka një koleksion të pasur me artefakte. Këto objekte përfaqësojnë historinë e rajonit, që nga parahistoria deri në ditët e sotme. Dhe kjo mbart në vetvete një vlerë të jashtëzakonshme, sepse janë pjesë e kujtesës tonë historike.
Ky Muze përbëhet nga 3 pavijone kryesore të dedikuara Arkeologjisë që zë pjesën më të madhe të muzeut dhe për shkak të objekteve të shumta, Etnografisë dhe Historisë. Pothuajse tre të katërtat e hapësirës së godinës është e përdorur për ekspozimin e artefakteve, ndërsa pjesa tjetër përdoret për të ruajtur, restauruar dhe mbrojtur objektet e ekspozuara, si dhe për zyrat e administratës së muzeut.
Antikiteti
Artefaktet dhe dokumentet historike janë vendosur në mënyrë kronologjike dhe tipologjike që vizitorët të kenë mundësinë të ndjekin evolucionin e objekteve në ekspozitë; mjetet e punës, qeramikat, mjetet e luftës, bizhuteritë, monedhat dhe veshjet.
Materialet e vëna në dispozicion na bëjnë të ditur se vendbanimet më të vjetra në zonën e Pogradecit gjenden përgjatë brigjeve të liqenit. Që nga kohët e lashta, kur kjo zonë filloi të popullohej nga njerëzit, nuk është braktisur asnjëherë, prandaj janë gjetur shumë gjurmë të vendbanimeve në këto zona. Për shembull, objektet që janë zbuluar në Lin i përkasin Epokës së Bronzit, Epokës së Hekurit dhe antikitetit të vonë.
Ndërkohë në zonën Memelisht janë gjetje nga periudha romake. Në Pogradec janë zbuluar objekte nga fillimi i Neolitit deri në Mesjetë. Starova i përket periudhës ilire. Gështenjasi ka një histori të përfaqësuar nga një kompleks i objekteve personale që i përkasin një aristokrati ilir që ka jetuar gjatë periudhës romake. Tushemishti ka artefakte nga qytetërimi ilir dhe antikiteti i vonë.
Armët
Në stenda ka armë që përfaqësojnë periudha të ndryshme, por që bëhet fjalë për të paktën 3000 vjet më parë. Janë maja shigjetash dhe heshtash që i përkasin fundit të periudhës së bronzit dhe fillimi i periudhës së hekurit. Ato janë gjetur në fshatin e Peshkëpisë, një pjesë tjetër vijnë nga Selca dhe nga Kalaja e Pogradecit
Përkrenaret
Dy përkrenaret ilire janë dhe krenaria e muzeut pasi konsiderohen të rralla në llojin e tyre. Froseda Tola, arkeologe, eksperte e trashëgimisë kulturore, na shpjegon se: Për nga topologjia “3B” që është dhe tipi i fundit i zhvilluar i përkrenares ilire, është dhe më i rrallë. Në të gjitha trevat ku janë shtrirë ilirët nuk janë gjetur më shumë se 500 përkrenare, ndërsa nga ky lloj janë rreth 20 – 30 nga të cilat 2 ndodhen në Muzeun e Pogradecit. Një është gjetur në fshatin Petrushë dhe tjetra në fshatin Starovë.
Por në muze ruhet si artefakt edhe një përkrenare kelte, e cila edhe pse është fort e dëmtuar përbën një kuriozitet të madh.
Mesjeta
Gjithashtu në stenda do të ndeshësh dhe një grup monedhash të periudhës Ilire por dhe të periudhës Bizantine në shekujt V dhe VI pas Krishtit, kryesisht të Perandorëve Justin dhe Justinian.
Gjithashtu ka mjete zbukurimi dhe pafta që përdoreshin nga gratë në ceremoni të veçanta. Janë pafta që vendosen poshtë gjoksit në të cilat kanë edhe disa monedha të cilat mbanin ritmin kur gratë ngriheshin në valle. Këto janë gjetur përgjithësisht në Mokrën e Poshtme.
Por janë gjetur objekte që i përkasin aspektit fetar. Ka kryqe të punuara me filigramë por edhe në dru ose dhe me të dyja bashkë, dru të përzierë me filigramë.
Gjithashtu ka dhe objekte të përdorimit të përditshëm: një sofër ngrënieje, enë balte që përdoreshin për të mbajtur ushqimin. Enë prej bakri dhe argjendi.
Dokumentacioni
Muzeu është i pasur dhe me dëshmi të Periudhës së Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë, Luftës së Parë Botërore, periudhat mes dy luftërave botërore dhe mbyllet me çlirimin e qytetit nga forcat naziste si dhe një listë me dëshmorët e këtij qyteti.
Një vend të veçante zë dhe dokumentacioni për hapjen e parë të shkollës shqipe në Pogradec, e cila është hapur fill një javë pas asaj të Korçës duke qenë kështu shkolla e dytë shqipe e hapur në trojet shqiptare.
Arkeologia Froseda Tola na informon se: Disa artefakte arkeologjike datojnë nga neoliti, rreth 8000 vjet më parë, apo 6000 vjet para Krishtit, ndërsa të tjerë i përkasin mesjetës së vonë. Objektet etnografike datojnë nga fundi i mesjetës deri në fillim të shekullit XX, ndërsa dokumentet dhe fotografitë i përkasin periudhës nga shek. XVII deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Muzeu shërben edhe si vend për organizimin e aktiviteteve dhe konferencave me natyrë të trashëgimisë historike dhe natyrore.
Epilogu
Vlera e objekteve të këtij Muzeu është shumë e rëndësishme, sepse rajoni i Pogradecit ka patur një histori ndryshe nga vendet e tjera të Shqipërisë. Froseda Tola na thotë se: për këtë arsye shumica e objekteve janë nga një kontekst i veçantë historik lokal dhe janë unike në krahasim me ato të pjesëve të tjera të territorit shqiptar. Në fakt kjo trashëgimi unike, duhet t’u kalojë brezave të ardhshëm, pasi rajoni i Pogradecit është shumë i pasur në histori dhe në kulturë.
Edhe pasi je njohur me të tre pavijonet e këtij muzeu njihesh edhe me reliket e lashta që janë vendosur në oborrin e muzeut.