Maliq/Vijon megaoperacioni i koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
U kapën në flagrancë në lokal, duke vënë baste sportive nëpërmjet celularëve të tyre, vihen në pranga 4 shtetas.
Procedohet penalisht pronari i lokalit, pasi kishte vënë në dispozicion lokalin, për lojërat e palejuara.
Sekuestrohen 4 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq konstatuan një tjetër lokal të përshtatur për këtë veprimtari të kundëligjshme.
Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. J., në fshatin Libonik, Maliq, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe vunë në pranga shtetasit:
- K. B., 25 vjeç, E. Sh., 25 vjeç, B. K., 26 vjeç dhe L. G., 25 vjeç, banues në Maliq.
Këta shtetas u konstatuan duke vënë baste sportive në aplikacionet e instaluara te celularët e tyre, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e lokalit, pasi kishte vënë në dispozicion lokalin, për lojëra të palejuara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.