Burgu u Pojskës prej afro një muaji ka mbetur pa drejtues. Kjo I.E.V.P e cila ende nuk ka nisur funksionin, shumë shpesh ka pasur drejtues të cilët janë larguar ose transferuar në institucione të tjera. I fundit i emëruar rreth një muaj më parë ishte drejtuesi Seit Vuçaj, i cili pas shkarkimit nga detyra të Durim Toskës nga burgu i Fushë Krujës, është transferuar në këtë burg si drejtues, për të zëvëndësuar Toskën. Zyrtarisht Seit Vuçaj ishte drejtori më jetëshkurtë i burgut të Pojskës.
Ndërkaq vijojnë premtimet për emërime politike në këtë burg për personelin dhe stafin, që nga gardianët dhe deri tek funksionet e tjera administrative. Por ende nuk është ndarë kush do të jetë pasardhësi i Seit Vuçajt. Diskutimi përveç në sferën e lartë të strukturave të burgjeve po diskutohet edhe nga të majtët e Pogradecit dhe nuk dihet kush do të shpërblehet me këtë funksion.
I.E.V.P Pojskë do të strehojë të dënuarit e moshës mbi 65 vjeç, por ende nuk dihet kur do të fillojë funksionimin edhe pse punimet fizike për objektin kanë përfunduar, ndërkaq dhe një pjesë e stafit është paracaktuar. Nga ana tjetër nuk dihet cili do të drejtoj këtë institucion, në valën e skandaleve të burgjeve në vend.