Ditën e nesërme pritet të mbahet mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak Pogradec për vitin 2023 dhe bashkë me buxhetin vjetor të Bashkisë Pogradec, është kërkuar votimi dhe për rritjen e tarifave për çmimin e ujit të pijshëm. Pas dëgjesave publike në çdo njesi, konkluzioni ishte i njëjtë, “nuk duam rritje të çmimit të ujit, sepse dhe cilësia e shërbimit po vjen në ulje”. Duket se administratori i UK Pogradeci.sha Johan Sterjo, pavarsisht opionionit të qytetarëve përsëri i qëndron faktit të rrisi çmimin e njesisë bazë të jetesës.
Gjatë dëgjesave përveç kritikave, një lum akuzash qytetarët kanë çuar edhe për Johan Sterjon, për keqmenaxhim dhe abuzim me këtë ndërmarrje. Nuk dihet nëse nesër këshilltarët do të jeshilosen për t’i thënë “po” rritjes së çmimit të ujit, pas rritjes së taksave vendore të pastrimit. Ende Sterjo nuk i ka kthyer përgjigje dy pyetjeve:
- Sa e ka çuar borxhin në UK Pogradec.sha që nga momenti i marrjes së detyrës?
- Sa janë humbjet në rrjetin e kësaj ndërmarrje?

Fakti që Pogradecarët do të paguajnë më shumë çmimin e ujit, lidhet me egon e sëmurë të administratorit të kësaj ndërmarrje dhe me paaftësinë e këshilltarëve për t’u ngritur në lartësinë e detyrës dhe për t’i thënë “jo” kësaj marrëzie. Johan Sterjo do të njihet si drejtori i cili në më pak se 4 vite, ka ngritur dy herë çmimin e ujit të pijshëm për Pogradecarët.
Ndërkaq edhe në Bashkinë Vlorë është rritur çmimi i ujit të pijshëm, por Autoriteti i Konkurencës rekomandon që të rishqyrtohet kjo vendimarrje, pasi cënon shtresat në nevojë. Theksojmë që çmimi i ujit në bashkinë jugore edhe me rritjen është disa herë më i ulët se në Bashkinë e Pogradecit.
