Vallja devolliçe shpallet vlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore, do propozohet për mbrojtje nga UNESCO.
Pranë Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve, u mblodh Komisioni i Vlerësimit të dosjes së Valles Devolliçe sipas kërkesës së Shoqatës Atdhetare Kulturore Devolli dhe Bashkisë Devoll.
Dosja e plotë me kërkesat, formularët e aplikimit dhe oponencat e personaliteteve të shquar të trashegimisë dhe artit koreografik folklorik te vendit, fotodosja dokumentare historike dhe dosja elektronike AV, u përgatit për një periudhë gati dy vjeçare nga grupi i punës kryesuar nga Petrit Demiraj dhe Ervehe Baruti.
Pasi shqyrtoi dosjen e plotë, Komisioni vendosi të miratojë kërkesën, dhe më datën 21dhjetor 2023 vendimi u firmos nga ministrja e Kulturës dhe Sporteve zj. Elva Margariti, duke shpallur Vallen Devolliçe:
“Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.
Kështu ky thesar i madh dhe i lashtë i kulturës së Devollit regjistrohet Fondin Kombëtar të Trashëgimisë sonë Kulturore mer vlerësimin maksimal nga institucionet tona të kulturës, nga shteti shqiptar.
Ky vlerësim mbështetet tek të gjithë komponentët historikë, koreografikë, epiko lirikë, në dendësinë e madhe emocionale që shoqëron vallen, në shtrirjen gjeografike dhe popullaritetin e fituar tek të gjithë shqiptaret, në interpretimet e saj me shumë sukses në të gjithë skenat e vendit dhe jashtë tij në Europë, Azi, Amerikë etj…
‘Falenderojmë të gjithë personat që ndihmuan në këtë proces, vecanërisht personalitetet e kulturës kombëtare Ramazan Bogdani, Bardhosh Gaçe, Bajram Lapi, Nexhat Agolli, Afërdita Onuzi, Ilia Larti, miqtë e Devollices Niko Kotherja, Arian Avrazi dhe komisionin e shqyrtimit të dosjes pranë Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve!
Por, para së gjithash, falenderimi i takon brezave dhe stërbrezave të devollinjve që e rritën mes luftrave, halleve dhe festave, dhe e sollën deri në ditët tona kaq të bukur dhe madhështore kryevallen Devolliçe, vallet e tjera dhe gjithë trashëgiminë shumë të pasur kulturore të Devollit!
Për Grupin e përgatitjes së dosjes së Valles Devolliçe’ shkruan Petrit Demiraj.