Qarku Korçë
Sektori i Policisë Rrugore Korçë, pavarësisht temperaturave atmosferike të ulëta ndodhet në krye të detyrës.
Territori i qarkut Korçë është përfshirë nga reshjet e dëborës, të cilat paralajmërojnë kujdes në disa akse rrugore, për drejtuesit e automjeteve.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, për shkak të kushteve atmosferike, në akset rrugore të qarkut Korçë është shtuar prezenca e punonjësve të Policisë Rrugore.
Deri tani, të gjitha akset nacionale janë të kalueshme pa probleme përveç aksit rrugor që të çon në Dardhë dhe aksit rrugor “Ersekë-Leskovik”, ku është e detyrueshme vendosja e zinxhirëve.
Firmat kontraktore janë duke punuar me mjetet borëpastruese dhe duke hedhur kripë në rrugë.
Shërbimet e Policisë janë në gatishmëri për të ndihmuar çdo përdorues rruge, në rast nevoje. Për çdo problematikë të hasur qytetarët mund të telefonojnë në numrat 112 dhe 129.