Vjetërsia e këtij Liqeni është milionëshe. I krijuar nga shembjet e tokës, ky liqen është i shtrirë në dy shtete. Këtë më së miri e vërtetojnë edhe aktivitetet dhe lëvizjet tektonike, si dhe mali prej 100m lartësi, nën nivelin e këtij liqeni. I mbushur plotë me bukuri dhe legjenda, Liqeni i Ohrit mbetet ndër atraksionet më të mira në vend. Një legjendë mbi këtë Liqen thotë kështu: Kur Zoti krijoi Liqenin e Ohrit tha: Kam krijuar Liqenin më të bukur në planet. Mirëpo, njerëzit këtu janë shumë mëkatar. Si pasojë e mëkatit, do ta krijojë edhe një përbindësh. Dhe Zoti, ashtu bëri. Askush nga njerëzit nuk e dinte se çfarë përbindëshi do të krijonte Zoti. Prandaj të gjithë kishin frikë që të jetonin pranë këtij Liqeni. Një ditë prej ditësh një djalë i kësaj ane i quajtur Strugë, vendosi që të shkonte tek liqeni. U zhyt në ujë që të ballafaqohej me përbindëshin. Aty filloi një luftë vërtetë e ashpër – deri në vdekje. Kështu përbindëshi, e fitoi betejën, dhe e përpiu të riun. Pas kësaj situate, banorët e kësaj zone, vendosën që ta sfidojnë përbindëshin. Banorët e gjetën guximin që në brigjet e këtij Liqeni të ndërtojnë një fshat – ku në nder të vdekjes së të riut, ia vendosën emrin Strugë.
Po ashtu, një legjendë tjetër për Liqenin e Ohrit tregohet për varrosjen e një qyteti afër këtij liqeni, ku banonin fisi ilir Enkelejdët. Legjenda tregon që një tërmet i fuqishëm që ishte shkaktuar në atë kohë, rrënoi tërë qytetin, dhe e zhyti nën ujë. Rrënojat e tij gjinden nën Liqenin e Ohrit. Andaj, përveç vlerave historike, kulturore dhe fetare, ky Liqen në vete përmban edhe një histori mitologjike dhe legjendare në vete. Me bukuritë natyrore që ka, dhe pozitën shumë të volitshme gjeo-politike, është kthyer në një vend i një rëndësie të veçantë të turizmit dhe kulturës në vend.