“Dhuro gjak, shpëto jetë” Kjo moto ishte shtysa për iniciativën e dytë radhazi të institucionit të Prefekturës, e cila gjeti mbështetjen e menjëhershme nga Drejtoria Vendore e Policisë. Një numër jo i vogël efektivësh nga drejtoria dhe komisariatet e qarkut kontribuoi duke dhuruar gjak.
Dhurimi i gjakut është një akt sa i thjeshtë, aq edhe human e qytetar, i cili plotëson nevoja jetike për pacientët me talasemi, të aksidentuarit, dhe të çdo pacienti që ka nevojë për gjak.
Qëllimi i kësaj nisme nuk është thjesht plotësimi i kërkesës për gjak, pasi ajo është e vazhdueshme, por sensibilizimi për rritjen e vullnetarizmit dhe solidaritetit nga të gjithë qytetarët, në mënyrë që ky kontribut human të kthehet në një traditë të vazhdueshme.
Falenderoj Drejtoin e Policisë Vendore z. Gjovalin Loka dhe stafin e tij, si edhe ekipin mjekësor që me profesionalizëm realizoi procesin; mjeken Viola Bezhani dhe infermierët Orjola Zaimi, Roens Kita e Fjoralba Samara.
Uroj që të shtohen vullnetarët në dhënien e gjakut dhe gjesti i sotëm i punonjësve të Policisë së Shtetit, t’i motivojë dhe inkurajojë të gjithë për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetën e dikujt që ka nevojë.