Dhuna ndaj nënave, grave dhe vajzave mund të ndalet edhe me tepër kur jemi të gjithë bashkë. Jemi të bindur se me përfshirjen edhe të komuniteteve fetare në Pogradec krahas shumë institucioneve të tjera, puna që do të arrihet do të jetë me rezultate shumë herë edhe më të larta. Prandaj të gjithë së bashku rifirmosëm “Marrëveshjen e Bashkëpunimit për vijimin e Funksionimit të Mekanizmit të Referuar të Rasteve të Dhunës në Familje” (MKR).
Firmosja e kësaj marrëveshje është një angazhim i përbashkët për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e çdo anëtari të komunitetit tonë nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve lokale, Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Përfaqësuesve të Komuniteteve Fetare, për të vijuar rrugën drejt një shoqërie pa dhunë. Në të reflektohen të gjitha ndryshimet ligjore të miratuara deri në vitin 2021 që synojnë përmirësimin e efektivitetit të MKR-së Pogradec në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje.