6.4 C
Pogradec
6.6 C
Korçë
6.6 C
Bilisht
4.5 C
Ersekë
5.3 C
Maliq
7.5 C
Liqenas
Thursday, December 12, 2024

Vrasjet në kufi, nisin hetimin e parë administrativ për të zhdukurit në Kolonjë

- Advertisement -

Për dy ditë me rradhë, Autoriteti i Dosjeve zhvilloi disa takime koordinuese në qytetin e Ersekës (Kolonjë), në zbatim të ligjit 45/2015 i ndryshuar, dhe bashkëpunimit për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të të zhdukurve e të të ekzekutuarve, si dhe masave për ruajtjen e vendvarrimeve.

Në përgjigje të kërkesës së shtetasit Niko Kono, i cili prej vitesh kërkon eshtrat e djalit të xhaxhait të tij, Dhimitër Kono, vrarë gjatë tentativës së arratisjes në 24 janar të vitit 1963, grupi i punës nisi procedurat e hetimit administrativ në vendvarrimin e dyshuar në ish-postën kufitare Shelegurë, Leskovik.

Grupi i punës bëri kqyrjen e vendit të ngjarjes, shoqëruar nga Jorgo Suljoti, i cili ka marrë dijeni për ngjarjen, treguar nga babai i tij i moshuar.Vendi ky dyshohet se është varrosur trupi i Dhimitër Konës ndodhet  500 metra larg ish-postën kufitare Shelegurë, Leskovik.

Grupi i punës vijon procedurat administrative për të nisur sa më shpjet bashkëpunimin me policinë, prokurorinë dhe autoritetet lokale me akte që do të kulmojnë me zhvarrimin e trupit dhe dorëzimin e tij tek familjarët.

Takimi me  autoriteteve lokale: Prezantohet projekt-memoriali

Në vijim të punës së nisur mbi hetimet administrative për vrasjet në kufi gjatë periudhës 1944-1991 në rrethin e Kolonjës, por edhe njohjes dhe studimit më të thellë të historive të zonës,  Kryetarja, Dr. Gentiana Sula, anëtari z. Gjergj Marku dhe drejtues të strukturave të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit u takuan me nënkryetarin e Bashkisë së Ersekës, z.Petro Risto, Sekretaren e Përgjithshme znj.Sofika Rexhepi dhe Drejtoren e Turizimit dhe Trashëgimisë Kulturore, znj.Anila Çoçllari.

Gjatë takimit, u fol për nevojën e shënjimit të vendvarrimeve të mundshme të të pagjeturëve në territorin administrativ të Kolonjës dhe njëherazi vendosjen e tyre në mbrojtje dhe mbikqyrje të posaçme për t’i ruajtur nga tjetërsimi i mundshëm.

Biseda vijoi për zhvillimin një dialogu lokal për zonën e  Kolonjës me qëllim hedhjen dritë mbi ngjarje të së shkuarës si dhe realizimit të një memoriali që do të përkujtojë vrasjet në kufi.

Artistja e mirënjohur e artit visual, Anila Zajmi, prezantoi projekt -idetë për ndërtimin e këtij memoriali, i cili vjen në kujtim  të jetëve të humbura përgjatë tentativës në kalimin e kufirit. Nga vëzhgimet në terren, për shkak edhe të historive; fshati Rehovë është konsideruar si më i përshtatshmi për realizimin e këtij memoriali. Debati vijon të mbetet i hapur dhe do të integrohet edhe me idetë e projektet e Bashkisë së Esekës, të cilat ishin të shumta në drejtim të kujtesës historike.

Mes AIDSSh dhe Bashkisë së Ersekës u ra dakord për firmosjen e një marrëveshje bashkëpunimi në drejtim të çështjeve të ngritura më lart.

Takimi me Shoqatën ish-të Përndjekurve Politikë të rrethit të Kolonjës – Dëshmi të përndjekjes

Drejtoresha Gentiana Sula u takua me përfaqësuesin e  Shoqatës Ish-të Përndjekurve Politikë të rrethit të Kolonjës, z.Thanas Grizhdo, z.Ylli Sulejmanin dhe z.Mehmet Cacani,  të cilët përcollën fakte historike të përndjekjes siç është ajo e rivarrosjes së 70 burrave të pushkatuar, me gjyq dhe pa gjyq, në vitet 45-56, në varrezat e qytetit të Ersekës pas ndryshimeve demokratike të vendit.

Motra e Safet Rrapos, të riut 30 vjeçar që u vra gjatë tenativës së arratisjes në shkurt të vitit 1990, znj. Luljeta Milo Rapo na tregon për një tjetër histori të dhimbshme të dikakturës. Ende pas tre dekadash ajo flet me dhimbje për tmerrin e atyre ditëve që përjetoi kur pa trupin e vrarë të vëllait, si dhe përpjekjet private për t’a kujtuar këtë histori  përmes ngritjes së një memoriali.

Takimi vijoi me mbedhjen e dëshmive të familjarëve, të cilat janë një pikë nisje për  çeljen e dialogut për rrethin e Kolonjës.

Si një rajon kufitar ku arratistjet nuk kanë munguar, nga studimi i Historikut i Sigurimit të Shtetit në Kolonjë vijnë dëshmi të të vrarëve në kufi. Numri i madh i ngjarjeve, i të arratisurve, i atyre që shpalleshin armiq apo që arrestoheshin si grupe të zbulimit grek, apo anglo-amerikan, lidhej edhe me shtrirjen e gjerë kufitare të zonës së Kolonjës me Greqinë.

Në vitet 1949-1955, raportet e Sigurimit numërojnë 60 veta të arratisur nga rrethi i Kolonjës për në Greqi. Ndërkohë raportime për arrestime dhe pushkatime në këto vite rregjistrojnë 70 të arrestuar si “kriminele lufte”, nga të cilët 30 u pushkatuan.

Më pas përgjatë viteve janë regjistruar tenativa për arratisje në kufi një pjesë e të cilëve janë kapur ndërsa të tjerë janë vrarë. Kështu në disa statitiska të mëvonshme të nxjera nga komunikatat ditore të Ministrisë së Brendshme, 1981-1990 raportohet se të vdekur në tentativë për t’u arratisur në zonën e Rehovës 2 persona, të arrestuar 5. Ndërsa në komunikatat e vitit 1990  regjistrohen të vrarë në kufi në Rehovë  5 persona, të arrestuar 3 persona.

Hapja e Dialogut Lokal për rrethin e Kolonjës synon  përfshirjen e Shoqatave të Ish-të Përndjekurëve Politikë, komunitetit, autoriteteve lokale, historianëve të zonës që përmes kërkimit arkivor në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të njihemi me kostot e diktaturës, të reflektohet mbi të shkuarën me qëllim nderimin dhe përkujtimin e viktimave. 

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit