Teksa konflikti në Lindjen e Mesme po vazhdon, mediat sociale po rezultojnë të jenë po aq një front i fushëbetejës dhe ku jepen çdo ditë pamje reale nga vendngjarja.
Lajmet dhe pamjet e luftës në Palestinë mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin mendor të individëve.
Kështu shprehet për Monitor psikologia Valentina Telhaj, e cila shton se, për shumë njerëz, pamjet dhe lajmet e luftës mund të shkaktojnë ndjenja të forta të trishtimit, ankthit dhe pasigurisë.
“Kjo është e zakonshme për shkak të natyrës tragjike të ngjarjeve të luftës, pasojave të dhimbshme për njerëzit, ku numri i fëmijëve ka qenë në përmasa të frikshme, dhe ndjenjave të pafuqisë për të ndryshuar gjërat.”- thotë znj. Telhaj.
Sipas një kërkimi në rrjete sociale, hashtag #freepalestine në Tiktok ka 27.7 miliardë shikime në video, në Instagram 6.4 milion shikime në video e foto të shpërndara, shifra të cilat tregojnë shpërndarjen e gjerë të informacioneve mbi luftën në rrjete sociale.
Disa mënyra se si lajmet e luftës mund të ndikojnë në shëndetin mendor, sipas mjekes psikiatër Arjana Rreli përfshijnë:
-Ngjarjet traumatike: Pamjet dhe raportimet e ngjarjeve traumatike mund të shkaktojnë stres dhe vështirësi emocionale.
-Ndjenja e pafuqisë: Shpeshherë, njerëzit ndihen të pasigurt kur përballen me situata të tilla tragjike. Ndjenja e pafuqisë dhe e bezdisjes mund të çojë në ankth dhe depresion.
-Ndikimi i media-s: Informacioni i shpeshtë dhe intensiv në lidhje me ngjarjet e luftës mund të nxisë ndjenjat e frikës dhe tensionit. Shpesh, edhe pasigurinë që ndonëse jemi larg, mund të na prekë një fat i ngjashëm.
-Ndikimi i komunitetit: Ndarja e përvojave me komunitetin në rrjetet sociale mund të ndihmojë ose, në disa raste, të përkeqësojë ndjenjat e një personi.
“Mos e nënvlerësoni fuqinë e ndikimit që ka media, sidomos ajo sociale ku pamjet nuk kanë filtra. Mund të jetë e rëndësishme të kufizoni kohën që kaloni duke i ndjekur lajmet dhe duke parë pamjet. Dhe sidomos, jini të vëmendshëm se çfarë pamjesh po shohin fëmijët apo të rinjtë sepse ndikimi te to është më i lartë dhe më afatgjatë”- përfundon psikologe Telhaj./D.Hyka
Revista Monitor