Për një gjysmë dekade nga mesi i viteve 1990, shqiptarët u morën me një debat të rëndësishëm, të cilin, si zakonisht, palët politike e degjeneruan në diçka të pakuptimtë. Bëhej fjalë për datën e çlirimit nga pushtimi nazi-fashist, e cila, në mënyrë rrjedhore, shënon njëkohësisht ditën e fundit të pushtimit nazi-fashist dhe ditën e parë të sundimit diktatorial komunist. Debati, i cili u shkaktua nga vendimi i shumicës post-komuniste për të eliminuar Çlirimin si datë e shënuar në kalendar përmes bashkimit të saj (nënkupto: nënvlerësimit të saj) me ditën e Pavarësisë, u mbështet jo aq shumë në të dhëna dokumentare (sepse arkivat ishin dhe vijojnë të mbeten të mbyllura në shkallë të gjerë), por në argumente politike. Zgjidhja për problemin erdhi gjithashtu politikisht. Në vitin 1998, postkomunistët socialistë e restauruan datën 29 si festë e veçantë në kalendar, siç mbetet edhe sot. Kur PD erdhi në pushtet më 2005, zgjodhi të mos merret më me këtë punë, duke e lënë festë zyrtare, e cila, sot e të gjithë ditën, shërben njëkohësisht për të përkujtuar sakrificat e antifashistëve dhe për të lartësuar, në mënyrë çnjerëzore, krimet e komunizmit.
Vetëm se, sido që ta shohësh, problemi dokumentar mbetet. Dhe problemi dokumentar u rishfaq këtë të mërkurë më 29 nëntor 2023, në një postim në Facebook të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Nën titullin “Arkivat kujtojnë”, një foto, e cila duket se paraqet një fragment nga Parada e Fitores së forcave partizane e mbajtur në Tiranë, DPA sjell disa fakte historike dhe harron një fakt shumë të rëndësishëm. Si diçiturë e fotos, DPA shkruan: “Në foto paraqitet parakalimi i organizuar në vitin 1944 me rastin e kësaj feste kombëtare.” Siç vërehet, mungon data se kur është shkrepur fotoja. Madje, mungon edhe muaji. Diçitura duket se është jokorrekte edhe në rast se, arkivat nuk e dinë datën e saktë të kësaj fotoje, (gjë që është shumë e pagjasë). Në rast se data nuk dihet, arkiva duhet ta shënjojë publikisht se kjo është “një foto, data e së cilës nuk dihet”, sepse ky është standardi normal i publikimit të një fotoje të tillë. Por ky nuk është rasti, sepse gjasat janë që fotoja të datojë 28 nëntor 1944. Burimet historike të huaja më shumë se sa shqiptare tashmë janë të bollshme për të konkluduar pa pikë dyshimi se në Tiranë ka pasur një paradë fitoreje, ku kanë marrë pjesë edhe në përshëndetje, forcat aleate perëndimore, kundër Nazi-Fashizmit. Dhe data e paradës ka qenë 28 nëntor, 1944.
Për shembull, në këtë video të arkivës kombëtare amerikane, folësi në një telekronikë lufte e jep qartë datën e paradës: 28 nëntor, 1944. Të dhëna të tjera të mohuara: flamujtë e aleatëve perëndimorë shfaqen krahas flamurit të Bashkimit Sovjetik ndërsa dy avionë Halifax britanikë, përshëndesin parakalimin e fitores. Mes parakaluesve përshëndetën përfaqësues të aleatëve rusë, jugosllavë, britanikë dhe amerikanë, thotë telekronika.
Dukshëm, partizanët, të cilët hynë në Tiranë më 17 nëntor, zgjodhën 28 nëntorin si datë të paradës për arsye të simbolikës që kjo datë mbart si dita e Pavarësisë. Data 29 si festë e mëvetme nga Pavarësia duket se është konstrukt politik i mëvonë. Këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe as për t’u alarmuar. Pasja apo jo e një date festive për çlirimin është një vendim politik. Dhe në këtë pikë, diskutimi mbyllet. Vetëm se harresa e faktit historik, pra nëse një foto i përket datës 28 nëntor apo ndonjë date tjetër, kjo nuk mundet dhe nuk duhet të jetë çështje politike. Sepse përndryshe, rubrika “Arkiva kujton” bëhet, në mënyrë orwelliane, “arkiva harron”. Vërini datën asaj fotoje.