Në 111 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë 150 delegacione nga të gjitha trojet shqiptare dhe 50 delegacione arbëreshe po parakalojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pavarësisht reshjeve të shiut, grupet kulturore, artistike e sportive etj nga Shqipëria, qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor, dhe shqiptarët e disaporës me kostume popullore tradicionale e valle, e flamurin shqiptarë në duar parakaluan në bulevard për ti treguar botës kulturën tonë dhe për ta kthyer Tiranën në zemrën e shqiptarisë.
Të shumtë ishin dhe qytetarët të cilët nuk iu trembën shiut por dolën për të shijuar paradën që organizohet për herë të parë në Shqipëri dhe e para që hapi dyert për organizimin e saj ishte Tirana.
Parada Shqiptare është një aktivitet i përvitshëm i organizuar nga organizata “Rrënjët Shqiptare- Albanian Roots (New York)”, si një ndër organizatorët kryesorë dhe bartësit e saj në këto 15 vitet e fundit, ku një nga sheshet kryesore të New Yorkut vishet kuq e zi.
Presidenti i “Albanian Roots” Marko Kepi, i cili është edhe organizator i përvitshëm i paradës së shqiptarëve në Nju Jork duke folur për Report Tv, tha se organizmi i Paradës së shqiptarëve në Tiranë është një ëndërr që tashmë u realizua.
Në trajtën e një spektakli ngjyrash të traditës dhe trashëgimisë sonë kulturore, ky event synon nxitjen dhe promovimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve kudo ku ndodhen, rrjetëzimin e qyteteve shqipfolëse në rajon dhe diasporës shqiptare, inkurajimin dhe promovimin e vlerave kulturore e historike, si dhe promovimin e potencialit turistik nëpërmjet trashëgimisë kulturore.
Parada u mbyll me ngritjen e flamurit në sheshin ‘Skënderbej’