28 dhe 29 nëntori janë dy data shumë të rëndësishme për mbarë kombin shqiptar. Teksa festohet dhe të gjithë kujtojmë të shkruajmë pak fjalë për Shqipërinë tonë, mbase harrojmë pak nga faktet që të gjithë duhet të njohim rreth pavarësisë së shtetit. Më poshtë janë të listuara faktet më të rëndësishme për këto data të shënuara që të gjithë duhet t’i njohim!
- 1. Shqipëria është vetëshpallur e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali.
2. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.
3. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.
4. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi, Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini dhe Lushnja.
5. Më 28 nëntor 1912, në orën 14:00, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar.- 6. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare.
7. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Bej Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Bej Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mit’hat Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Bej Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Bej Koprencka, Spiro Ilo, Ilias Bej Vrioni, Sami Bej Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Bej Vërlaci etj.
8. Në dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë ndër të tjera thuhej: “…Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.- 9. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës ishte shpallja e Pavarësisë shqiptare, sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.
- 10. Gjithashtu u vendos lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të sapoformuar jashtë kufijve të tij administrativë.