Ditën e shtunë në qytetin e Pogradecit në ambientet e Galerisë së Artit pranë Qendrës Kulturore “ Lasgush Poradeci” u çel ekspozita me piktura e piktorit Pogradecar Gentian Zeka.
Ekspozita e titulluar “ Burime shqiptare, frymë universale” mblodhi bashkë në ambientet e qendrës kulturore Pogradec, artdashësit pogradecar, të cilët i panë pikturat unike të Gentian Zekës më nga afër.
Kjo ekspozitë do të qendrojë hapur deri në datën 15 Dhjetor ku qytetarët pogradecar dhe jo vetëm të kenë mundësi ta vizitojnë ekspozitën.
Burime shqiptare-frymë universale
Metafora parake IV
Dr. Luan Topçiu
Dihet se Henri Matisse, Pablo Picasso, Maurice Vlaminck, André Derain dhe Paul Gauguin, Mark Chagall, ishin të magjepsur nga skulpturat afrikane dhe arti primitiv, ishin të interesuar për këtë fillim të fillimit, për “kthimin e artit në fëmijërinë e njeriut”. Kjo risi e sjellë në pikturë, realizoi efektet vizuale të pazakonta, josh dhe transformon paradigmat e pikturës. Magjepsja e habia e joshja e artistëve nuk drejtohet vetëm drejt artit primitiv afrikan, por shumë syresh kthyen vemendjen në rrënjën parake të kulturave të tyre. Në fakt, është një gërmim në arkeologjinë e mendjes në artin popullor, për të krijuar këtë martesë të lumtur midis shpirtit parak dhe ideve avangardiste.
Artistët modernë kërkuan mjete gjuhësore dhe artistike parake, arketipale, tradicionale të zhveshur nga shumë shtresa të qytetërimit, për të nxjerrë në pah thelbin e patrazuar të sendit apo dukurisë.
Në këtë edicion të katërt të Metaforave parake, Gentian Zeka nuk është mjaftuar vetëm me përdorimin e mjeteve konvencionale, por ka përzier teknikat varësisht nga synimet artistike. Pikërisht teknika mikste, konceptimi modern i punimeve e bën të vështirë përcaktimin e klasifikimin e tyre nga pikëpamja teorike. Punimet janë një gërshetim i pikturës me skulpturën dhe artdeco. Veprat e artit që na ofron artisti Gentian Zeka sjellin forma, shenja, simbole, trajta të përpunuara me finesë dhe elegancë, në të shumtën e rasteve të gdhendura në reliev. Shumica e veprave, për nga mënyra e shprehjes dhe mjeteve shprehëse të përdorura, kanë trajtat e artit “parak”. Krijimet figurative të popujve primitive janë zbuluar dhe vlerësuar si “art” vetëm në fillim të shekullit XX. Deri me atëherë ky art e gjente veten nëpër muzetë etnografikë. Arti primitiv konsiderohej një paraformë e artit që duhej të diferencohej në mënyrë të qartë nga arti i vërtetë. Tash, megjithatë mbiemri “primitiv” i është bashkangjitur emrit “art” pa i zvogëluar vlerën, përkundrazi artit primitiv i është akorduar një fare epërsie përkundrejt artit klasik. Nga ana tjetër, jetojmë në kohën kur koncepti i artit është zgjeruar tejet, duke marrë rolin e komunikimit vizual. Pikërisht janë këto mundësi shprehjeje të artit modern që do të përdorë me virtuozitet piktori pogradecar. Hipostaza tjetër, përpos asaj të artit primitiv, është ajo e artit bizantin. Arti bizantin, veçanërisht ai shqiptar, paraqet më shumë një model kulturor, një mënyrë konceptimi dhe trajtimi. Janë te huajtura thjeshtësia e interpretimit, dekorativizmi, ngopja e materialit, kombinimi i formave, përsosja e morfologjisë së tyre, ndërhyrja me metal, gurë, ngjyrë, incizime grafike. E rëndësishme për autorin është përcjellja tek shikuesi i frymës, misticizmit që mbartin këto vepra, i bukurisë formale dhe stilistike. Përpunimi i formave parake të natyrës në shenja që sugjerojnë mister, misticizëm, fshehtësi, magji, ruajnë në thelb diçka të palëvizshme e të pa modifikueshme, siç është bukuria dhe gëzimi që të ofrojnë bujarisht format në natyrë. Objektet që ekspozon Gentian Zeka janë të çmueshme përmes pasurisë së formave, trajtave, ngjyrave, përmes synimit të shprehur në vetë titullin sugjestiv të ciklit: “metaforat parake”. Admirimi dhe nderimi i formave te natyrës shkon deri në sakralitet. Artistit nuk i intereson fabula e artit bizantin, por thelbi lirik, mesazhi është tërësisht i qashtër estetik. Ky cikël piktorik i Gentian Zekës është një dëshmi e thellësisë së ndjenjave dhe pasuri e ndjeshmërisë së natyrës. Në fakt, ky qëndrim dhe ky manifestim ndaj natyrës është një nga tiparet e artit të madh, i sintezave. I shdërrimit të artit parak në metafora shprehëse. Cikli është një ftesë për bashkëjetesë, për soditje dhe për një gazmim bashkë me të. Njeriu ka qenë gjithmonë krijues, gjithkund ka krijuar një bote të tijën, që nga mikrokozmosi i objekteve të dobishme, që nga veglat me të thjeshta e deri tek kompjuterët më performantë. Artistët janë thirrur për krijimin e një bote të re me krijimet e tyre. Gentian Zeka i jep formë objekteve, i jep liri instinktit artistik të lojës, të kërkimit, të përvojës me forma me ndërhyrje inteligjente. Ai ka forcën dhe talentin për të shndërruar shenjat parake në metafora. Kjo është bota që na ofron Gentian Zeka sot, një bote e magjishme, materiale, e thellë, e bukur, inteligjente; me një strukturë shpirtërore kaq komplekse, kaq të beftë, kaq të figurshme, kaq të ngrohtë, kaq lëndore.
Ekspozita “Burimet shqiptare dhe frymë universale” dëshmon talentin e padiskutueshëm të artistit që mbërrin të krijojë forma të pastra, të çliruara. Nëpërmjet dialogut që vendos me materien që i lejon të nxjerrë thelbin e qenieve dhe objekteve; G. Zeka kalon të gjithë kufijtë gjeografikë, historikë, formalë, duke iu dhënë veprave të tij frymë universale.