Djathi po shitet gjithnjë e më shtrenjtë në Korçë dhe shkak është bërë ulja e sasisë së qumështit. Përpunuesit pranojnë rritjen me 40 për qind, për këtë sezon, ndërsa qytetarët thanë se janë të detyruar të konsumojnë më pak për shkak të shtrenjtimit të këtij produkti të domosdoshëm për çdo familje. Çmimi i djathit të bardhë dhe kaçkavallit është rritur me 40 për qind në Korçë. Shkak është bërë ulja e sasisë së qumështit dhe braktisja e sektorit të blegtorisë.
Specialisti përpunimit të djathit, Ilia Roca tha në intervistë për Report TV tha se ka rënë prodhimi në baxho, e për pasojë djathi del në treg me çmim më të shtrenjtë se vitin e kaluar.
“Ka rënie të sasisë së qumështit nga blegtorët. Unë vjet merrja 7 kuintal qumësht, tani marr 1 kuintal, ka rënie drastike të prodhimit të bulmetit. Ndaj rritja e çmimit të bulmetit do të vazhdojë. S’ka zgjidhje”,- tha Roca.
Çmimi u rrit me 45-50 për qind më shumë. Nëse deri vjet e merrnim qumështin e deles me 80-90 lek për litër, sivjet e kemi marrë me 150 lek për litër”,- shtoi ai.
Djathi kaçkavall i deles shitet me pakice 1600 lek për kg, ndërsa djathi i bardhe me 1 mije lek per kg.
“Me një kuintal qumësht ne prodhojmë 20 kg djahtë. Ne paguajmë 150 mijë lek për qumështin. Që të nxjerrim dhe fitimin tonë e shesin djathin me 1 mijë lek për kg me shumicë. Po ta blesh nga tregtarët shkon me 16 mijë lek për kg. Ndërsa unë me shumicë e jap me 10 mijë lek për kg. Dy vite më parë unë e shisja 8 mijë lek me shumicë dhe në tregun e pakicës shitej me 12 mijë lek për kg”.
Për qytetarët, çmimet e bulmetit janë të papërballueshme, ndaj e vetmja zgjidhje për ta është të konsumojnë më pak!
“Shumë është rritur. Blejmë një herë në javë një herë në dy javë. Është ulur sasia se s’po mban më njeri blegtori. Të gjitha janë shtrenjtuar jo vetëm djathi. A e keni ulur konsumin? Po e kemi ulur, se s’të bën mirë”,- është shprehur një qytetar.
“Shumë lart çmimi, duhet të ulet. A është produkt luksi? Po ca luksi është i përditshëm. Si ia dilni? Po nuk hamë si përpara, hamë më pak”,- ka shtuar një tjetër.