5.6 C
Pogradec
4.4 C
Korçë
3.8 C
Bilisht
3.6 C
Ersekë
3.7 C
Maliq
5.3 C
Liqenas
Monday, December 2, 2024

In memoriam/Thoma Turtulli, filantropi që i dhuroi Korçës; spitalin, bibliotekën, kinemanë, liceun, jetimoren dhe mbeti pa varr.

- Advertisement -

In memoriam/Thoma Turtulli, filantropi që i dhuroi Korçës; spitalin, bibliotekën, kinemanë, liceun, jetimoren dhe mbeti pa varr.

Nga Albert Vataj.

Më 19 nëntor 1937 ndërroi jetë bamirësi i shquar, Thoma Turtulli. Ai, edhe pse nuk ka statujë apo monument që ta përkujtojnë, atë e lanë edhe pa varr. Por vepra e tij e humanitetit është ende ndër thesaret e Korçës, është e ngulitur thellë në shpirtin e qytetit, në themelet e asaj përjetësie që mbeti i vetmi dhe më i epërmi shpërblim për të.

Ai që ka mbetur në historinë e këtij detyrimi gjeneratash për falënderim dhe përulje, është Thoma Turtulli, i cili i dhuroi kësaj kryeqendre të juglindjes së Shqipërisë, spitalin, bibliotekën, kinemanë, shkollën e mesme (liceun) dhe jetimoren.

A nuk është madhështore?!

A do të mjaftonte mirënjohja e këtij qyteti për këtë zemërbardhësi?!

Cili pati atë shpirt, i cili zgjodhi që pulsi e tij të rrahë përgjithmonë në të gjallët e një qyteti?!

E megjithatë kjo familje sot nuk ka varr. Korrektësisht, komunistët i shkatërruan në mënyrë barbare varrin monumental të kësaj familjeje të shquar, dhe eshtrat e filantropit të madh nuk dihet ku përfunduan.

Thoma Turtulli, dikur e njihnin të gjithë, jo vetëm si tregtar por edhe si dorëdhënë. Sot, janë fare pak njerëz në Korçë e jashtë saj që dinë diçka për të, edhe pse ndonjë përkujtimore akademike është rrekur ta ridimensionojë këtë figurë, ta kthejë në lavdinë e vet këtë emër dhe këtë vepër. Gjithqysh, pavarësisht se sa u bë dhe çfarë u tha për të, ai ishte dhe mbeti një nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar.

Filantropi që begatoi zemra në fatbardhësi të jetës, që shpëtoi nga vdekja e sigurt me dhjetëra njerëz, por që e pati të pamundur ta shpëtonte veten, jo nga vdekja, por nga mënxura e kuqe.

Mbahet mend se Thoma Turtulli, ishte ai që përgatiti pajën e shumë familjeve të vobekta korçare dhe fitoi dashurinë e simpatinë e mijëra zemrave dhe ia arriti kësaj më të njëjtën zemërbardhësi dhe shpirtbujari që na thërret ta kujtojmë sot me nderim dhe respekt. Sepse ai nuk ishte i vetmi që kishte për të dhënë, por pakkush pati aq shumë sa të jepte gjithçka me gjithë zemër.

Edhe pse regjimi monstruoz diktatorial, u soll egërsisht me familjen Turtulli, duke i lënë ata pa varr, akti sublim i bujarisë është më i larti monument i memories dhe mirënjohjes, të cilën nuk ka barbari ta fshijë nga faqja e dheut, siç nuk do të ketë monstruozitet fanatikësh terrorist të kuq, apo çfarëdo ngjyre, që të mund ta asgjesojë.

Sepse fara e mirësisë e hedhur në themelet e një humanizmi të tillë si ai i Thoma Turtullit, do të mbijë e të harliset në nevojën tonë për mirënjohje dhe konsideratë.

Thoma Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur një qytet i madh me shumë lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte për nga përparimi vetë Voskopojën. Por njësoj, si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën tre herë. Asokohe, Familja Turtulli u zhvendos në Korçë dhe bëhet një prej familjeve më të njohura tregtare të kohës.

Shumë shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën, shembull të një qyteti evropian, për t’i dhënë asaj çfarë meritonte.

Kështu në qytetin e Korçës më 25 dhjetor 1927-ë, çeli dyert kinemaja “Majestic”, një La Scala e vogël në zemër të qytetit. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar prej Thoma Turtullit e miqve të tij.

Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytet e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA-ës.

Kështu që biblioteka e bukur e Korçës, e inauguruar më 1930-ën, numëronte rreth 30000 libra, asaj kohe. Qytetit të elegancësdhe kulturës, biri i saj, Thoma Turtulli i dhuroi edhe Liceun, këtë vatër dije, brenda e jashtë Shqipërisë.

Ndërsa spitali i qytetit u inaugurua në vitin 1934. Pas përfundimit të tij, bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.

Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me Urdhërin e Skënderbeut. Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vete punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia.

Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mbretit Zog, i cili solli enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot vdekjes, e cila i mori të gjallët, i përpiu trupin, për t’i lënë eshtrat në mëshirën e një barbarie, e cila, kur varrezat e Korçës u zhvendosen nga kisha e Shën Mërisë, shkatërroi varrin monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e Filantropit të Madh nuk dihet ku përfunduan.

Akti i bamirësisë së Thoma Turtullit, vepra e tij janë sot xhevahire të shkëlqimta në gjerdanin e krenarisë dhe qytetarisë evropiane të Korçës.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit