Portali “Korça Boom” sapo mëson lajmin se një tjetër “ikonë” e futbollit korçar është ndarë nga jeta.
Veteran Topçiu pësoi aarrest kardiak dhe pak momente më parë ka ndërruar jetë në spitalin e qytetit të Korçës.
I lindur në Panarit të qytetit të Korçës, Topçiu mësohet se është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare i datëlindjes 1943.
Portali ynë i shpreh ngushëllimet familjes Topçiu.
Lamtumirë Veteran Topçiu.
Më poshtë po risjellim një shkrim të Petrit F. Zeneli, enkas për Veteran Topçiun:
Veteran Topçiu, një veteran i topit dhe nder i qytetarisë korçare që nuk vlerësohet.
Nga Petrit F. Zeneli
Rastësi, apo…!
Veteran i topit – Veteran Topçiu, futbollisti panaritas që edhe emri dhe mbiemri i dëshmojnë shërbimin më të çmuar që i bëri qytetit të tij të dashur, Korçës!
Falë talentit të tij, ish futbollisti i ekipit të Skënderbeut të Korçës, vakëflliu Veteran Topçiu, për 12 vjet rresht (1960-1972) na ka entuziazmuar dhe mbushur me krenari, për kontributin e dhënë, si një ndër lojtarët më të mirë të kësaj skuadre, e në veçanti si qendërmbrojtës i saj. Lindi në Panarit, në vitin 1943, por u rrit dhe u shkollua në qytetin, për të cilin të parët e tij kishin luftuar (me top armë) e dhënë jetën ta shpëtonin nga kthetrat e pushtuesve të shumtë shekullorë. Kështu qe e thënë!
Që i vogël e kishte një ëndërr “të çmendur”, të rendte pas topit, topçiu ynë fantazist dhe i palodhur! Aktivitetin sportiv e filloi qysh herët, me ekipin e pionierëve si fillim, më pas me të rinjtë, e së fundi me të rriturit. Kurdoherë rrëmbeu zemra dhe fitoi duartrokitje për elegancën, profesionalizmin dhe kulturën e lartë, në ndeshje, në stërvitje e në bulevard, por mbi të gjitha për thjeshtësinë, urtësinë e pashoqe dhe dashurinë e pamatë ndaj njerëzve!
Për gjithçka i dha futbollit korçar, ai ka hyrë në 11-shen më të mirë të të gjithë brezave futbollistë të Skënderbeut, zgjedhur nga një anketë e kryer me popullin e këtij qyteti tepër sportdashës. Veterani bëri realitet një ëndërr, la pas një emër, nderoi Korçën e sot nderohet nga të gjithë korçarët!
Për merita të veçanta ai mban dy medalje të akorduara nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë. Përmes kësaj fotoje historike, i urojmë mjeshtërit tonë,Veteranit të Topit (Topçiu), jetë të gjatë e plot shëndet, kurse ekipit të Skënderbeut, të mos ndalet në suksesin drejt titullit kampion i Republikës, e të rikthehet sa më shpejt në ditët e tij më të mira!
Burimi: Korça Boom