Prefekti Nertil Jole mbledh komisionin e mbrojtjes civile në nivel qarku për masat që ndërmeren në prag të sezonit të dimrit.
Prefekti Nertil Jole njofton se sot ka zhvilluar mbledhjen e komisionit të mbrojtjes civile në nivel qarku, lidhur me masat dhe punën parapërgatitore në prag të sezonit të dimrit, periudhë e cila karakterizohet nga reshjet e dëborës.
Në takim ku merrnin pjesë drejtues e përfaqësues të institucioneve rajonale e vendore dhe të Qëndrës së Mbrojtjes Civile të Qarkut, theksuam problematikat e konstatuara dimrin e kaluar, ku në tërësi për përballimin e situatave ka patur angazhim të mirë të strukturave të mbrojtjes civile, koordinim të punës nga bashkitë, midis bashkive e institucioneve shtetërore në nivel rajonal e vendor.
Një eksperiencë e mirë është fituar tashmë në mirëmbajtjen e akseve kryesore nacionale dhe rrugëve turistike.
“Theksova se zonat më të thella të qarkut, si rrugët Vithkuq-Shtyllë-Panarit, Voskopojë-Lekas, apo rrugët lidhëse në fshatrat turistike Voskopojë e Dardhë në bashkinë Korçë, apo Velçan-Bishnicë-Jollë dhe Qafa e Plloçës-Dardhas-Guri i Kamjes në bashkinë Pogradec, rruga Miras-Nikolicë në bashkinë Devoll, rruga Lozhan-Strelcë, Moglicë-Dushar në bashkinë Maliq, rrugët në fshatrat e ajësisë administrative Çlirim e Novoselë në bashkinë Kolonjë etj, duhet të jenë në vëmendje të vazhdueshme nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore dhe subjektet e kontraktuara prej tyre për mirëmbajtjen dimërore.
Trajtuam edhe aspekte të lidhura me garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, të shërbimeve arsimore e shërbimeve shëndetësore në të gjithë territorin e qarkut, si dhe për kujdesin që duhet treguar në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Kërkova në mbyllje zbatimin e programit të masave për përballimin e situatave emergjente gjatë periudhës dimërore Nëntor 2023-Mars 2024, në zbatim të detyrimeve që na lindin nga ligji “Për Mbrojtjen Civile”, rregulloreve të ndryshme të Këshillit të Ministrave, udhezimeve të dërguara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, dhe zbatimit rigoroz të të gjitha termave kontraktuale të miratuara nga bashkitë dhe institucionet shtetërore në nivel vendor e qëndror, me subjektet private që mirëmbajnë segmentet rrugore.
Shpresoj që me bashkëpunim dhe angazhimin e të gjitha institucioneve që janë pjesë e zinxhirit të administrimit të emergjencave, edhe ato situata më komplekse që eventualisht mund të krijohen në qarkun tonë këtë dimër, do të përballohen me sukses duke siguruar reagim të shpejtë e shërbim sa më cilësor’ informon reth këtij takimi Prefekti Nertil Jole.