Mbledhja e bimëve medicinale në Qarkun e Korçës, duket se nuk është më tek prioritetet e banorëve të zonës. Mësohet se grumbulluesit këtë vit patën rreth 20% më pak sasi të bimëve medicinale të grumbulluara, kjo për shkak të uljes të interesit të banorëve që merren me këtë aktivitet dhe për shkak të largimeve. Nga ana tjetër kushtet atmosferike ishin një nga arsyet që sivjet kishte më pak bimë medicinale.
Roland Gypi njëri prej grumbulluesve më të mëdhenj në Qarkun e Korçës tregon se ai magazinon bimë spontane, bimë të egra dhe të kultivuara. Kryesisht këto bimë tregtohen në vend, por pjesa më e madhe eskportohen drejt Gjermanisë, Koracisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Ndërsa bima e egër “Murrizi me fletë” mbetet nga më të kërkuarat në treg.
Ai shtoi se këtë vit pritshmëritë janë që të gjitha bimët medicinale të shiten në treg, kjo për shkak edhe të uljes së tonazhit. Roland Gypi shton se çmimet e këtyre bimëve kanë pasur luhatje, ku disa janë rritur në treg dhe të tjera janë ulur, si psh fleta e ithrit. Ndërkaq, nëse ulet mbledhja e bimëve medicinale, sipas Gypit riskohen kompanitë grumbulluese.
Kushtet klimaterike goditën edhe sipërfaqet e kultivuara me bimë mediciale edhe pse këto sipërfaqe janë rritur nga viti në vit.
Në rang qarku kultivohen 250 ha me kultura kryesisht njëvjeçare konkretisht me mëllagën, lule ciani, lavandra etj. Për specialistin Arben Hysolli nga qarku i Korçës, që prej muajit janar 2023, janë eksportuar rreth 380 ton bimë medicinale të kultivuara, në drejtim të Gjermanisë, Polonisë dhe Çekisë.
Përpunimi sidomos gjatë periudhës së tharjes së bimëve medicinale është tepër i rëndësishëm për të pasur një cilësi e cila do të pranohej edhe nga tregu ndërkombëtar. E.X/Pogradecipress.al