“Gorki zbret në Korçë, vepra e njohur Vassa Zhelesnova është për herë të parë prezantuar në Shqipëri në teatrin Andon Zako Cajupi të Korçës. E sjellur nga regjizori i njohur Enke Fezollari dhe interpretuar nga artistët Zamira Kita, Guri Koco, Blerta Belliu, Dasara Xhangolli, Kejdi Gishto, Ilda Pepi, Paola Kodra, Rita Gjeka dhe Urim Aliaj.
Enke Fezollari, pas shfaqjes, foli i emocionuar për veprën e vënë në skenë. Veprat e Gorkit, sipas tij, kanë qenë jashtë skenave shqiptare për 62 vjet. Ndërsa vetë vepra shpreh mesazhe të shumta, shpeshherë aktuale për shoqërinë.
Aktorja shkodrane rrëfen se ngjitet për herë të parë në skenën e teatrit të Korçës me këtë veprë dhe i është dashur të përballonte një rol të vështirë të gjinisë së kundërt. Ndërkohë ajo e konsideron teatrin e Korçës si një shtëpi të saj.
Drejtuesja e teatrit të Korçës dhe një prej aktoreve në këtë shfaqje, Zamira Kita, foli për rolin e vështirë të Vassës, një rol ky me ngarkesë të lartë të materialeve dhe emocioneve, gjithashtu ajo e konsideroi si një sukses të sajin vënien në skenë të kësaj shfaqjeje.
Shfaqja do të vazhdojë për 3 ditë radhazi në teatrin e Korçës. Ku në natën e parë, salla u mbush plot me artëdashësit korçarë dhe të rinjtë.
Kjo vepër e vënë në skenë zgjati 2 orë, ku në të përfshiheshin akte të ndryshme teatrore dhe muzikë e zgjedhur ruse.”

