Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës, ku një i ri rreth 20 vjeç është vrarë me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është Johan Zuko, pjesëtar i Forcave të Armatosura. Dyshohet se i riu është ndjekur nga autori, pasi nuk rezulton të jetë banor i lagjes ku ndodhi krimi.
Paraprakisht mësohet se Zuko ka tentuar t’i shpëtojë autorit duke u futur për t’u fshehur në një pallat, por është ndjekur deri në brendësi të tij, ku më pas është qëlluar për vdekje. Arma e përdorur dyshohet të jetë kallashnikov.
Autori i dyshuar dhe viktima mësohet se kanë qenë shokë dhe janë rritur bashkë. Autori i dyshuar rezulton person me precedentë penalë, ndërsa më herët është proceduar për armëmbajtje pa leje dhe plagosje. Ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar në konfliktin mes dy të rinjve dhe më pas në vrasje.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe po vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në disa zona janë ngritur postblloqe policie, ndërsa po sekuestrohen dhe këqyren kamerat e sigurisë në zonë për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe itinerarin e autorit.
Informacionet mbeten paraprake, ndërsa pritet njoftimi zyrtar i Policisë për rrethanat dhe motivin e krimit.

