Pas 40 vitesh përkushtim, Bruna Zguro rihap atelienë e artizanatit në Korçë…

- Advertisement -

Pas më shumë se 40 vitesh të përkushtuara artizanatit, Bruna Zguro ka rihapur atelienë e saj në Korçë, një hapësirë ku ndërthuren krijimtaria, tradita dhe punimet e realizuara me dorë. Pas mbi dy dekadash me një pikë shitjeje, atelia synon të jetë jo vetëm një vend ekspozimi dhe tregtimi, por edhe një qendër promovimi për artizanatin vendas.

Fillimisht ishte menduar që aktiviteti të zhvillohej në Pazarin e Korçës, por atelia u vendos pranë banesës së artizanes, për të krijuar një ambient më të ngrohtë dhe më funksional.

Veprimtaria e Brunës ka nisur me qëndistari dhe punime tradicionale për shtëpinë, ndërsa vitet e fundit është orientuar drejt veshjeve dhe aksesorëve artizanalë, duke iu përshtatur kërkesave të tregut dhe ndryshimit të stilit të jetesës. Në atelie ofrohen veshje të punuara me dorë, çanta, aksesorë dhe produkte të personalizuara sipas kërkesave të klientëve.

Një pjesë e produkteve realizohen tërësisht me dorë, ndërsa disa të tjera përshtaten dhe transformohen përmes ndërhyrjeve artistike, duke marrë një identitet të ri.

Përveç punës si artizane, Bruna Zguro është prej vitesh e angazhuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo drejton shoqatën “Arti në duart e gruas”, e krijuar rreth nëntë vite më parë për të mbështetur artizanët dhe për t’u krijuar mundësi promovimi e shitjeje të punimeve të tyre. Shoqata ka rreth 40 anëtarë aktivë dhe përfshin mjeshtër të zanateve të ndryshme, të cilët marrin pjesë në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare për promovimin e traditës shqiptare.

Prej rreth 15 vitesh, Zguro punon edhe me fëmijë dhe të rinj, duke u mësuar teknikat e punimeve të dorës. Sipas saj, interesi është më i lartë te fëmijët deri në moshën 11-12 vjeç, ndërsa më pas vërehet një rënie e ndjeshme, e ndikuar edhe nga përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale.

Pavarësisht sfidave, Bruna Zguro vijon të promovojë artizanatin si një pasuri të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përcjellë mesazhin se pasioni për punimet e dorës mbetet i përjetshëm dhe duhet të trashëgohet te brezat e rinj.

Screenshot

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit