‘Mik Festival’ ul siparin në Korçë, artistët sjellin në skenë serenatat korçare! Inva Mula: Rikthimi, emocion i veçantë

- Advertisement -

Pas katër netësh të mbushura me muzikë, balet dhe kulturë, MIK Festival uli siparin në Korçë me një mbrëmje kushtuar serenatës korçare, duke përmbyllur një program artistik që këtë vit solli në skenë zhanre dhe artistë të ndryshëm.
Themeluesja e festivalit, sopranoja Inva Mula, tha se çdo rikthim në Korçë është një emocion i veçantë, por edhe një sfidë për të sjellë risi për publikun.
Sipas saj, edicioni i këtij viti ndërtoi një program që nisi me jazz manouche, vijoi me një mbrëmje të muzikës së filmit, solli një gala të baletit botëror, koncertin e korit bizantin në Voskopojë dhe u mbyll me serenatën korçare.

Në skenën e MIK Festival debutoi edhe këngëtarja e re Erika Ahmeti, e cila e cilësoi pjesëmarrjen si një moment të rëndësishëm në karrierën e saj.

Pjesë e koncertit ishte edhe Roberta Panariti, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara. Ajo theksoi se serenata vazhdon të këndohet edhe mes komunitetit shqiptar në emigracion, ndërsa shprehu dëshirën që ky zhanër të ruajë autenticitetin e tij.

Edhe artistja Zhani Suljoti vlerësoi organizimin e festivalit dhe rikthimin e serenatës në qendër të vëmendjes, duke apeluar për ruajtjen e interpretimit tradicional të saj.

Me një program që bashkoi artistë shqiptarë dhe të huaj, MIK Festival e ktheu për katër net Korçën në një qendër të rëndësishme të jetës kulturore, ndërsa mbrëmja finale i kushtoi vëmendje një prej simboleve më përfaqësuese të identitetit artistik të qytetit serenatës korçare.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit