Në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë është çelur ekspozita fotografike “Shqipëria 1921”, kushtuar antropologut dhe akademikut të njohur zviceran Eugène Pittard. Ekspozita sjell për publikun shqiptar, për herë të parë në një format të ri gjithëpërfshirës, një koleksion të rrallë fotografish që dokumentojnë jetën e shqiptarëve një shekull më parë.
Pas një udhëtimi në disa qytete të vendit, Korça është stacioni i gjashtë dhe i fundit i kësaj ekspozite, e cila kombinon teknologjinë moderne me trashëgiminë historike. Përveç fotografive të ekspozuara në ambientet e Galerisë së Arteve Digjitale dhe në sheshin përpara saj, vizitorët mund të përjetojnë instalacione multimediale, videoprojeksione, animacione dhe eksperienca në realitet virtual që i transportojnë në Shqipërinë e vitit 1921.
Kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, theksoi se veçantia e veprës së Pittard qëndron në mënyrën autentike të dokumentimit të realitetit shqiptar. Sipas tij, fotografitë nuk paraqesin njerëz të pozuar në studio, por momente të jetës së përditshme, të kapura me syrin e një antropologu dhe humanisti.
Ai nënvizoi gjithashtu lidhjen e veçantë që Pittard dhe bashkëshortja e tij, shkrimtarja Hélène Pittard, e njohur me pseudonimin Noëlle Roger, kishin me Korçën. Në shkrimet e saj, ajo e përshkruan qytetin si një vend mikpritës dhe kulturor, ku u pritën me lule dhe me këngë në gjuhën frënge.
Në ceremoninë e hapjes ishte e pranishme edhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, e cila vlerësoi figurën e Eugène Pittard si një personalitet që kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ajo kujtoi mbështetjen që Pittard i dha Shqipërisë në periudhën e pavarësisë, si dhe kontributin e tij në fusha të ndryshme shkencore dhe humanitare.
Ekspozita “Shqipëria 1921” do të qëndrojë e hapur për publikun në Korçë, duke ofruar një udhëtim unik në historinë dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve përmes fotografisë, teknologjisë dhe artit bashkëkohor.

