Në një qytet ku fjala e shkruar dhe libri janë pjesë e identitetit, të rinjtë e Pogradecit kanë zgjedhur një mënyrë ndryshe për ta rikthyer leximin në vëmendje.
Nisma “Rinia Lexon” është kthyer në një formë të veçantë kremtimi për Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke dalë nga kornizat klasike të aktiviteteve dhe duke e çuar librin në rrugë, aty ku qytetarët kalojnë çdo ditë.
Dhjetë stacione leximi janë vendosur në pika të ndryshme të qytetit nga Këshilli Rinor Pogradec, përmes monitorëve LED dhe posterave informues. Nëpërmjet barkodeve, qytetarët orientohen drejt poezive dhe veprave të autorëve pogradecarë.
Kjo nismë nuk është thjesht një aktivitet simbolik, por një përpjekje për të thyer stereotipin e rrënjosur se të rinjtë nuk lexojnë. Përmes kësaj fushate ndërgjegjësuese, organizatorët synojnë jo vetëm të rikthejnë interesin për librin, por edhe të promovojnë autorët vendas.
E ndërtuar mbi vullnetarizmin e të rinjve pogradecarë, “Rinia Lexon” vjen si një eksperiencë e re për qytetin e Lasgushit dhe Mitrushit, një përpjekje për ta bërë librin më të prekshëm dhe më pranë njerëzve.
Stacionet e leximit tashmë janë vendosur në pikat kryesore të qytetit.

