Një mësues me përvojë të gjatë në arsim humbi jetën papritur, teksa ishte në krye të detyrës së tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Marjan të Maliqit.
Alban Bejleri kishte rreth 30 vite eksperiencë në arsim dhe prej afro 5 vitesh shërbente në fshatin Marjan, një zonë e thellë e bashkisë Maliq. Ai përshkonte çdo ditë në këmbë një distancë prej rreth 7-8 kilometrash, për të dhënë mësim, edhe pse në shkollë kishte vetëm dy nxënës.
Familjarët shprehen se ai ishte një njeri i përkushtuar, i qetë dhe punëtor, i cili nuk ankohej kurrë për vështirësitë.
Nga ana tjetër kjo ngjarje ka sjellë reagime të forta nga familjarët dhe të afërmit, të cilët akuzojnë politikën për vendimet që, sipas tyre, e çuan drejt kësaj tragjedie.
Edhe kolegët e tij e përshkruajnë si një profesionist të përkushtuar, që përballej çdo ditë me vështirësi të mëdha infrastrukturore dhe fizike për të ushtruar profesionin. Ai udhëtonte deri në zonën e Lozhanit dhe më pas vazhdonte rrugën në këmbë drejt fshatit ku jepte mësim.
Të afërmit bëjnë thirrje për më shumë kujdes nga institucionet ndaj punonjësve të arsimit, veçanërisht atyre me probleme shëndetësore, duke kërkuar që të jenë më pranë familjes dhe në kushte më të përshtatshme pune.

