Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit ka publikuar ditën e sotme listën e projekteve fituese në kuadër të thirrjes për mbështetjen e aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore. Kjo thirrje hapet çdo vit dhe synon financimin e projekteve që promovojnë kulturën, artin dhe turizmin në qytete të ndryshme të vendit.
Sipas burimeve nga ministria, nga qyteti i Pogradecit janë paraqitur mbi 10 aplikime, kryesisht nga shoqata dhe organizata që zhvillojnë veprimtari kulturore dhe artistike. Megjithatë, në listën e projekteve fituese bie në sy përzgjedhja e projektit për organizimin e Festës së Verërave dhe Gështenjave, i cili do të realizohet nga Shoqata “Elia Buzahishtë” (SHBB Elia Buzahishte 1998).



Sipas përshkrimit në faqen zyrtare të kësaj shoqate dhe në objektin e shoqatës, ajo është një shoqëri e bashkimit bujqësor që operon kryesisht në zonën e Mokrës, në Buzahishtë dhe fshatrat përreth. Aktiviteti i saj lidhet kryesisht me sektorin bujqësor, veçanërisht me sigurimin, riprodhimin, magazinimin dhe tregtimin e farës së patates, si dhe me prodhime të tjera bujqësore.



Pavarësisht këtij profili, shoqata ka përfituar një fond prej rreth 3 milionë lekësh për organizimin e një prej eventeve tradicionale të qytetit të Pogradecit, i cili konsiderohet një aktivitet i rëndësishëm kulturor dhe turistik për zonën.

Sipas të dhënave publike, shoqata përbëhet nga fermerë të zonës së Mokrës dhe në objektin e saj përfshihen aktivitete që lidhen me prodhimin dhe tregtimin e farës së patates, furnizimin me inpute bujqësore dhe magazinimin e produkteve të këtij sektori.
Ndërkohë, përzgjedhja e këtij projekti ka ngritur pikëpyetje në qytet, pasi në thirrjen e Ministrisë së Kulturës kërkohet që organizatat aplikante të paraqesin një portofol të aktiviteteve të mëparshme në fushën kulturore, si dhe dokumentacion që dëshmon përputhshmërinë e objektit të organizatës me projektin e propozuar dhe deklaratën e konfliktit të interesit.

Në diskutimet publike është përmendur edhe emri i drejtorit të emergjencave në Bashkinë Pogradec, Nexhmi Torra, për të cilin thuhet se mund të ketë lidhje me aktivitetin e kësaj shoqate dhe përfitime të vazhdueshme të tij për fonde publike nëpërmjet projekteve, “të pavarura”.
Për rrjedhojë, mbeten të paqarta kriteret që kanë çuar në përzgjedhjen e këtij projekti, në një proces ku konkurronin edhe organizata të tjera me përvojë në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike. Ndërsa nuk dihet ende qëndrimi zyrtar dhe nuk është publikuar me transparencë të plotë nga ministria, sistemi i pikëzimit të projekteve fituese, për të cilat do të kërkohet përgjigje edhe zyrtarisht.

