Pogradec – Shtabi i Emergjencave i Prefekturës Korçë ka njoftuar se gjatë ditës së martë, 17 shkurt 2026, në territorin e qarkut priten reshje shiu dhe bore me intensitet të ulët deri mesatar.
Sipas të dhënave të siguruara nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), kushtet atmosferike mund të ndikojnë në qarkullimin rrugor, sidomos në zonat kodrinore e malore, si dhe në segmentet e prirura ndaj përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.
Autoritetet vendore u bëjnë thirrje banorëve të Bashkisë Pogradec të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në orët me intensitet më të lartë reshjesh. Strukturat e mbrojtjes civile dhe shërbimet e emergjencës janë vendosur në gatishmëri për të përballuar çdo situatë të mundshme.
Në njoftim theksohet se qytetarët duhet:
• Të shmangin lëvizjet e panevojshme në zona të rrezikuara nga përmbytjet apo akulli;
• Të pajisin automjetet me goma dimërore dhe zinxhirë në rast nevoje;
• Të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të mbrojtjes civile.
Për çdo situatë emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat:
📞 Policia e Shtetit: 112
📞 Zjarrfikësit dhe Emergjencat Civile: 127
📞 Mjekësia e Urgjencës: 128
Autoritetet apelojnë për bashkëpunim dhe përgjegjësi qytetare, me qëllim shmangien e incidenteve dhe garantimin e sigurisë publike gjatë përkeqësimit të kushteve të motit.

