Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, në kuadër të dëgjesave publike me fermerët, është ndalur në Pogradec, ku ka garantuar se fermerët e prekur nga përmbytjet nuk do të mbeten pa mbështetje.
Gjatë fjalës së tij, ministri Salla u shpreh se ekipet e Ministrisë së Bujqësisë, në bashkëpunim me bashkitë, përfshirë edhe Bashkinë Maliq, janë në terren për të verifikuar dhe evidentuar dëmet në bujqësi, me qëllim adresimin e tyre pranë Qeverisë Shqiptare.
Deklarata e ministrit Andis Salla:
“Ne jemi duke verifikuar në terren, së bashku me ekipet e Ministrisë së Bujqësisë dhe bashkitë, përfshirë edhe Bashkinë e Maliqit, çdo fazë të evidentimit të dëmeve në bujqësi, në mënyrë që t’i adresojmë ato pranë Qeverisë Shqiptare.
Siç e keni parë, takimi i kryesuar nga Kryeministri vendosi një paketë financiare për të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytjet që kanë ndodhur pak ditë më parë.
Ne kemi qenë në terren me emergjencat civile, bashkitë dhe ministritë përkatëse për të ndihmuar qytetarët, në mënyrë që asnjë nga të prekurit të mos mbetet vetëm.
Ministria e Bujqësisë do të jetë e angazhuar në një proces të plotë evidentimi të dëmeve, jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga bashkitë, të cilat po bëjnë një punë shumë të mirë për t’i adresuar këto dëme. Kjo na ndihmon të dimë se si do të procedohet për mbështetjen e fermerëve, por edhe për të vazhduar drejt një bujqësie më të shëndetshme, duke investuar në argjinatura, kanale kulluese dhe infrastruktura të tjera.
Do të ketë dëmshpërblime.
Për herë të parë po zhvillojmë dëgjesa publike me fermerët. Jemi përpara skemës kombëtare, ku duhet të përafrojmë buxhetet dhe fondet e akorduara nga Qeveria Shqiptare për fermerët, përmes Ministrisë së Bujqësisë, ashtu si çdo vit.
Kemi një paketë prej 52 milionë eurosh që është dedikuar për fermerët.
Ne po i dëgjojmë fermerët: si janë, çfarë kërkojnë, cilat janë kushtet, problemet, shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, në mënyrë që t’i përafrojmë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ku duhet të akreditohemi dhe të veprojmë mbi bazën ligjore të tij, duke e përshtatur me kërkesat e fermerëve.
Nesër do të jem në Korçë dhe, nëse fermerët dëshirojnë të më dëgjojnë, unë jam pranë tyre për t’i takuar, për t’u shpjeguar dhe për të mos i lënë vetëm.”

