ATSh/ Projekti “Solid Waste Management Programme DKTI” synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane në pesë zona të vendit: Durrës–Tiranë, Berat, Dibër, Korçë dhe Vlorë.
Në Korçë u zhvillua një takim për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në kuadër të projektit.
Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo u takua me ekipin e konsulentëve të implementimit Dahlem Beratende Ingenieure GmbH / Enviroplan Consultants S.A, si dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM).
Kryebashkiaku Filo tha se, Korça është shndërruar në një qark pilot dhe referencë për praktikat e mira, pas vënies prej disa vitesh në funksion të landfillit sanitar të Maliqit.
Projekti i menaxhimit të mbetjeve të ngurta parashikon hartimin e projektit për mbylljen përfundimtare të fushës së vjetër të mbetjeve pranë qytetit të Korçës (rruga drejt Ravonikut), hartimin e projektit për landfillin e inerteve (mbetje ndërtimi) për Bashkinë Korçë.
Po ashtu, parashikohet hartimi i projektit për një qendër ndarjeje të mbetjeve pranë landfillit të Maliqit si dhe studime për trajtimin e mbetjeve të gjelbra dhe mbetjeve të ngurta në territor.
Bashkia Korçë bëri të ditur se do të vijojë angazhimin për ndërtimin e një sistemi modern, të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin për menaxhimin e mbetjeve, në shërbim të banorëve dhe të ardhmes së Korçës.

