Mëngjesin e ditës së djeshme kanë nisur reshjet e dëborës në qarkun e Korçës. Konkretisht, në aksin rrugor Boboshticë–Dardhë, autoritetet rrugore nisën pastrimin e rrugës me borëpastruese dhe hodhën kripë për të parandaluar ngricat.
Gjatë ditës së djeshme nuk u raportuan akse rrugore të bllokuara apo me vështirësi në qarkullim. Sipas Prefekturës së Korçës, qarkullimi ishte normal në të gjitha akset kryesore të qarkut.
Ndërkohë, stafi i Drejtorisë Qendër-Lindje të Autoritetit Rrugor Shqiptar monitoroi vazhdimisht akset rrugore për të garantuar ndërhyrje të menjëhershme aty ku ishte e nevojshme. Reshjet e dëborës ndikuan gjithashtu në rritjen e numrit të vizitorëve gjatë fundjavës, veçanërisht në zonat turistike malore.

