Mbrëmjen e djeshme, mes aromës së gështenjave të pjekura dhe larmisë së verërave, u zhvillua festa tradicionale e Verës dhe Gështenjave, e cila këtë vit u organizua për të 31-in vit radhazi. Mes një konkursi ku marrin pjesë bujtinat e zonës zgjidhet vera më e mirë, si edhe piktura dhe poezia më e arrirë me tematikën e kësaj feste. Qëllimi i saj mbetet promovimi i identitetit kulturor të zonës dhe nxitja e turizmit.
Tenda të shumta me një shumëllojshmëri produktesh tradicionale, të trashëguara brez pas brezi, u prezantuan dhe u shijuan nga vizitorët e shumtë që kishin mbushur Pogradecin në këtë mbrëmje festive.
Hapja e buteve të verës dhe pjekja e gështenjave në hell janë elementet kyç të kësaj feste që i japin asaj një shije të veçantë, megjithëse pjesëmarrësit shprehen se vit pas viti interesi i njerëzve ka ardhur duke u ulur për ta festuar.
Mes aromës së gështenjave të pjekura dhe gjallërisë së pjesëmarrësve, Pogradeci dëshmoi edhe një herë se mbetet një nga destinacionet më të dashura për festat e fundvitit.

