Në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” në Korçë u çel ekspozita fotografike “Shqiptarë të panjohur” e Ben Blushit, një udhëtim vizual mes fytyrave, jetëve dhe historive të njerëzve të zakonshëm shqiptarë.
Ekspozita lexohet si një roman figurativ e vizual me 32 kapituj, ku çdo fotografi është një tregim më vete,një dritare drejt një jete, një kujtimi, një përvoje njerëzore. Në to ndërthuren fëmijëria, adoleshenca, rritja, familja, përjetimet e së tashmes dhe ndjesia e së ardhmes.
Disa prej këtyre portreteve i përkasin banorëve të Korçës, qytetit që mbetet i dashur për autorin.
Në çeljen e ekspozitës, megjithëse Ben Blushi nuk ishte i pranishëm, miqtë e tij të vjetër, dashamirët dhe artdashësit korçarë mbushën sallën për t’u njohur me këtë anë më pak të njohur të shkrimtarit atë të fotografit që kërkon të kapë shpirtin e njeriut përtej famës dhe titujve.
“Shqiptarë të panjohur” është një udhëtim njerëzor, poetik dhe i ndjeshëm,një përpjekje për të bërë të dukshëm ata që zakonisht mbeten në hije, përmes artit të dritës dhe momentit.

