Një sherr masiv është regjistruar në qytetin e Bilishtit, ku kanë mbetur të plagosur dy persona.
Sipas informacioneve paraprake, tre persona kanë sulmuar dhe dhunuar me sende të forta një shtetas, duke i shkaktuar dëmtime trupore. Pas sulmit, i dëmtuari ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur njërin prej agresorëve.
Burime bëjnë me dije se Trajan Çeliku, i njohur nga policia si person problematik, së bashku me dy persona të tjerë ka dhunuar një 39-vjeçar me inicialet G.M. Konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta dhe nuk është hera e parë që autorët përplasen me 39-vjeçarin.
Ngjarja ka nisur fillimisht me debat verbal dhe më pas ka degjeneruar në përdorimin e sendeve të forta. Trajan Çeliku është konfliktuar me 39-vjeçarin paraditen e sotme dhe më pas është rikthyer për ta takuar sërish bashkë me dy persona të tjerë. Gjatë sherrit, 39-vjeçari e ka goditur me thikë pas sulmit të tyre.
Mësohet se pas mjekimit në spital, të gjithë personat e përfshirë janë shoqëruar në komisariatin e Devollit, ku po merren në pyetje për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

