Prej disa javësh, aksi rrugor Pogradec–Qafë Plloçë vijon të mbetet pa ndriçim, duke u shndërruar në një rrezik serioz për drejtuesit e automjeteve dhe banorët e zonës. Pavarësisht ankesave të përsëritura, deri tani nuk ka asnjë reagim apo ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse për rikthimin e ndriçimit në këtë segment të rëndësishëm.
Mungesa e ndriçimit ka sjellë jo vetëm pakënaqësi, por edhe pasoja konkrete. Vetëm pak ditë më parë, një i ri mbeti i plagosur pasi humbi kontrollin e motomjetit në këtë aks. Ngjarja e rëndë nuk mjaftoi për të nxitur reagim nga autoritetet vendore, duke e lënë situatën të pandryshuar.
Ky segment rrugor kalon përmes zonave të banuara, ku çdo mbrëmje qarkullojnë qindra automjete dhe këmbësorë. Banorët e fshatrave përreth shprehen të shqetësuar, pasi ecja në errësirë dhe lëvizja e mjeteve pa sinjalistikë ndriçuese përbën rrezik të madh për jetën e tyre.
Ndërkohë, ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se mungesa e ndriçimit publik është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve gjatë orëve të natës, sidomos në segmente që kalojnë në zona të banuara dhe me kthesa të forta siç është aksi Pogradec–Qafë Plloçë.
Derisa të ketë një ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse, ky rrugë mbetet një “kurth i errët” për drejtuesit e automjeteve dhe banorët, të cilët çdo ditë përballen me frikën dhe pasigurinë.

