4.7 C
Pogradec
5.9 C
Korçë
5.6 C
Bilisht
5.6 C
Ersekë
4.7 C
Maliq
5.9 C
Liqenas
Sunday, February 15, 2026

Pogradec/ 38 vite në internim, premiera e dokumentarit “Rikthimi i Zonjave” sjell historinë vuajtjeve në diktaturë…

- Advertisement -

Mbrëmjen e djeshme, qyteti i Pogradecit u bë dëshmitar i një ngjarjeje të veçantë kulturore dhe historike. Në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, u mbajt premiera e dokumentarit “Rikthimi i Zonjave”, një prodhim që risjell në kujtesë një kapitull të errët të historisë shqiptare, vuajtjet e grave gjatë diktaturës komuniste.

Ky dokumentar ka në qendër historinë e Fatime Haxhillarit nga Arrza e Devollit, sot 90-vjeçare, e mbijetuar e kampeve famëkeqe të internimit në Tepelenë, Valias dhe Kodër-Kamzë. Përmes rrëfimit të saj, publiku u përball me një udhëtim të dhimbshëm, të ngarkuar me vuajtje, por edhe me një forcë të pashoqe shpirtërore.

“Rikthimi i Zonjave” është më shumë se një dokumentar, është një homazh për qëndresën e grave që pavarësisht dhimbjes e shkatërrimit, mbetën shembuj të dinjitetit njerëzor. Ideja e këtij produksioni, siç shpjegon producenti Armand Braho, lindi që në fëmijërinë e tij, nga tregimet e familjes. Këto kujtime e shtynë jo vetëm të mbledhë dëshmi të gjalla, por edhe të hulumtojë në arkivat e shtetit, duke nxjerrë në pah dokumente të Sigurimit të Shtetit që dëshmojnë metodat çnjerëzore të përdorura ndaj familjeve të persekutuara.

Armand Braho (Producent): “Ky dokumentar është një rrëfim i dhimbshëm, por i domosdoshëm. Është përpjekje për të dhënë zë grave të harruara nga historia, për të mos lejuar që vuajtjet e tyre të shuhen në harresë.”

Emocionet kulmuan edhe me rrëfimin e vajzës së Fatime Haxhillarit, e cila u lind në internim. Ajo e përshkroi dokumentarin si një rrëfim të jetës së saj dhe të brezit që u rrit nën hijen e vuajtjeve, por që nuk e humbi shpresën.

Natasha Haxhillari (vajza e Fatimes): “Ky film është edhe jeta ime. Është historia jonë e dhimbshme, por edhe dëshmia që ne jemi ende këtu, duke treguar të vërtetën.”

Për herë të parë, në hollin e kinemasë së festivalit u ekspozuan dosjet e deklasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit që dokumentojnë survejimin e familjeve Nurçe dhe Haxhillari, si dhe fotografi të ruajtura ndër vite nga vetë familjet. Këto dëshmi të rralla arkivore sollën një dimension tjetër në këtë premierë, duke shkrirë artin filmik me kujtesën historike.

Ngjarja u shoqërua me emocion të thellë tek të pranishmit, miq, familjarë dhe dashamirës të artit. Përveçse një akt artistik, “Rikthimi i Zonjave” u shndërrua në një mbrëmje reflektimi për të kaluarën, me mesazhin e qartë se historia e dhimbjes nuk duhet harruar, por kujtuar si mësim për të ardhmen.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit