Nga Redi Dandallaku/ DERBI I HUMBUR RIKTHEHET PAS 12 VITESH MUNGESË, FUTBOLLI I JUGLINDJES RINGJALLET TË PREMTEN
Stadiumi Gjorgji Kyçyku pritet të jetë plot zhurmë pasditen e së premtes. Luhet ndeshja e futbollit Pogradeci – Skënderbeu, përballja me më shumë rivalitet në juglindje.
Pas 12 vitesh pa përballje në kampionat, përveç një ndeshjeje të Kupës së Shqipërisë në 2020-ën, që nuk pati shumë interes edhe për shkak të formatit të asaj kupe si dhe disa miqësoreve ndër vite, sportdashësit e dy qyteteve duket se do të jenë të pranishëm si në stadium po ashtu të mbërthyer edhe pas ekranit.
Ky derbi ka qenë gjithmonë i luftuar, me grintë, lojë të fortë dhe rivalitet të madh.
Janë dy skuadra që për shumë vite janë ndeshur mes tyre në kategorinë e parë. Ndeshja e fundit zyrtare në kampionat u luajt më 19 maj 2012 në Pogradec, në një takim të vlefshëm për Superligën, ku korçarët fituan 3-1 në një stadium të mbushur plot nga tifozëritë e dy qyteteve. Korçarët fituan kampionatin, ndërsa liqenorët ranë nga kategoria.
Ajo ndeshje ende dhemb për liqenorët. Ata barazuan fillimisht me golin e Eminhazirit, pas golit të parë të Xhafajt, por pas vetëm 10 minutash korçarët shënuan dy gola të shpejtë, përkatësisht kapiteni Shkëmbi dhe sërish Xhafaj.
Të premten, nipçet kanë mundësë t’i kthejnë reston dajove, ku nipçet janë pogradecarët dhe dajot korçarët. Një shprehje e zakonshme kjo që përdoret me shaka midis Pogradecit dhe Korçës.
Publiku ka filluar të flasë për ndeshjen në rrugë, punë, kafene që një javë përpara dhe duket i gatshëm e në kërkim të emocionit duke pritur një derbi të vërtetë.

