Notari i njohur pogradecar Vladimir Mato, njëkohësisht trajner dhe organizator i aktiviteteve të notit në qytetin e liqenit, ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm 5 ditë më parë. Ai u rendit i dyti në distancën 1000 metra në Maratonën e Notit “Idriz Muço”, e zhvilluar në Sarandë, ku morën pjesë notarë nga e gjithë Shqipëria.
Gara u karakterizua nga konkurrencë e fortë dhe një nivel i lartë përgatitjeje. Çmimin e parë e mori notari Alush Çuka, ndërsa vendi i dytë iu besua Vladimir Matos, i cili prej dekadash është simbol i pasionit dhe këmbënguljes në sportin e notit.
Mato është i njohur për angazhimin e tij si trajner i të rinjve në Pogradec dhe si organizator i Maratonës së Notit në qytetin buzë liqenit, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e traditës së këtij sporti.
Ky rezultat në Sarandë është një tjetër dëshmi e përkushtimit të tij, duke nderuar jo vetëm veten, por edhe Pogradecin, që prej vitesh ka dhënë kampionë të notit shqiptar.