17.4 C
Pogradec
19.1 C
Korçë
19.3 C
Bilisht
18.4 C
Ersekë
18 C
Maliq
19.4 C
Liqenas
Thursday, September 11, 2025

Ardi Muçllari dhe “Shtëpia e zarfave”! Një roman që ringjall magjinë e letrës së shkruar…

- Advertisement -

Ardi Muçllari, autori pogradecar që i është përkushtuar shkrimit që në fëmijëri, vjen këtë herë para lexuesve me një vepër të re letrare: romanin “Shtëpia e zarfave”. Pas dy librave të parë, ky është romani i tretë i tij, i cili ngjizet nga përditshmëria e punës së tij në poste, aty ku jeta njerëzore merr formë mes zarfave, pullave dhe letrave të dërguara.

Në këtë roman, Muçllari ka mbledhur copëza të jetës së qytetarëve, rrëfime të kolegëve të tij, por edhe kujtime të vyera të ish-postierëve që sot e kanë lënë pas krahëve këtë profesion. Ngjarjet shtrihen që nga viti 1963, duke sjellë para lexuesit fragmente të jetës së dikurshme dhe duke i vënë ato përballë realitetit të sotëm, ku mesazhet telefonike kanë zëvendësuar letrën.

“Shtëpija e zarfave” nuk është thjesht një roman për postën, por një rrëfim i gjerë për tingujt e harruar: trokitjet e postierit në dyer, zërat që enden rrugicave të qytetit, frymën e njerëzve që dikur prisnin me ankth një zarf të bardhë. Në qendër të romanit qëndron personazhi Kroi, një postier që shpërndan letra për të gjithë, por vetë nuk merr kurrë asnjë. Fati e lidh atë me një vajzë, dhe dashuria e tyre nuk rritet përmes telefonit, por përmes letrave një dëshmi e gjallë se fjala e shkruar ka ende fuqinë e saj të papërshkrueshme.

Duke e jetuar nga afër realitetin e postës, Muçllari sjell përmes fjalës së shkruar ndryshimin e madh mes postës së dikurshme dhe asaj të sotme. Nga zarfi i lagur nga shiu, pulla e ngjitur me kujdes dhe letra e mbajtur nën jastëk, deri te mesazhi i shpejtë në telefon, romani është një udhëtim përmes kohës dhe ndjenjave.

Në fund, “Shtëpija e zarfave” mbetet një thirrje e ngrohtë për brezin e ri: libri i shfletuar dhe letra e shkruar me dorë janë përvoja që sjellin emocione të pakrahasueshme me ekranin e ftohtë të telefonit. Përmes kësaj vepre, Ardi Muçllari i kujton lexuesve se letërsia, ashtu si letra, është një shenjë e gjallë e shpirtit njerëzor që nuk shuhet kurrë.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit