Denoncimi i këshilltarit Arbër Male: “Bashkia Pogradec kundër interesit të banorëve të Çërravës”
Pogradec – Debati për përdorimin e tokave blegtorale në fshatin Çërravë ka sjellë reagime të forta. Këshilltari i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Arbër Male, ka denoncuar publikisht Bashkinë duke e akuzuar se po vepron kundër interesit të banorëve të zonës.
Male thekson se më 18 gusht banorët e fshatit kundërshtuan në mënyrë unanime dhënien e këtyre tokave për panele diellore, duke kërkuar që ato të mbeten për komunitetin dhe bujqësinë. Megjithatë, sipas tij, vetëm tre ditë më pas, Bashkia e futi projektin në axhendë, duke treguar – siç thotë ai – se konsultimi publik ishte një farsë.
Në reagimin e tij, këshilltari nënvizon se të zgjedhurit vendorë duhet t’i përgjigjen interesave të qytetarëve dhe jo klientelizmit apo sipërmarrësve anonimë. Ai shprehet i vendosur të qëndrojë në mbështetje të banorëve deri sa, siç thekson, “interesi i tyre dhe i bujqësisë të prevalojë mbi panelet”.
Teksti i plotë i reagimit të Arbër Malës:
🔴 Bashkia Pogradec kundër interesit të banorëve të Çërravës!
“Më 18 gusht banorët e fshatit kundërshtuan njëzëri dhënien e tokave blegtorale për panele diellore, duke kërkuar që ato të mbeten për komunitetin.
❌ Vetëm tre ditë më pas, Bashkia e futi projektin në axhendë, duke treguar se konsultimi ishte farsë.
✊ Të zgjedhurit duhet t’i përgjigjen zgjedhësve, jo interesave klienteliste të sipërmarrësve anonimë.
Në mbështetje të banorëve derisa interesi i tyre dhe i bujqësisë të prevalojë mbi panelet.”

