Është mbajtur për të pestin vit radhazi Maratona e Notit “Agron Ruvina” në qytetin e Pogradecit.
Në këtë garë morën pjesë 70 notarë, të ndarë në dy kategori: 1750 metra dhe 280 metra.
Vladimir Mato u shpreh se ishte shumë i emocionuar për këtë maratonë, duke theksuar pjesëmarrjen e notarëve nga ekipet kombëtare të Shqipërisë, nga rajoni liqenor, si dhe notarëve të huaj.
E motra e notarit pogradecar, Agron Ruvina, falënderoi organizatorët për këtë maratonë që përkujton rekordmenin shqiptar.
Në një garë të fortë për vendin e parë në distancën e gjatë prej 1750 metrash, 14-vjeçari Devi Shtaro arriti të shpallej fitues. I emocionuar për këtë arritje, Devi ia dedikoi fitoren familjes së tij.
Nga vajzat, Lizi Gusho mori vendin e parë në kategorinë 14-vjeçare dhe në garën e gjatë. Ajo u shpreh e emocionuar për pjesëmarrjen, duke theksuar se edhe pse jeton jashtë vendit, vendosi të bëhej pjesë e maratonës. Suksesin ia dedikoi motrës dhe familjes së saj.
Duke ndjekur traditën familjare të notit, Ana Angjellari u shpall fituese në kategorinë e veteranëve. Mes emocionesh, ajo tregoi edhe vështirësitë e garës.
Një maratonë në kujtim të notarit të madh Agron Ruvina, e cila bashkoi notarë të rinj dhe të vjetër, duke rikujtuar edhe njëherë se Pogradeci njihet për notarët e tij të shquar.

