Pogradec – Në një atmosferë solemniteti dhe kujtese historike, sot në Lapidarin e Dëshmorëve të Pojskës u zhvillua ceremonia përkujtimore në nder të 82-vjetorit të rënies së bijve dhe bijave që dhanë jetën për atdheun gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Autoritetet vendore, përfaqësues të institucioneve, veteranë të luftës, nxënës dhe qytetarë u mblodhën për të vendosur kurora me lule dhe për të përkulur kokën me nderim përballë emrave që mbeten të gdhendur në memorien historike të kësaj zone. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe përfaqësues të Bashkisë Pogradec, Këshillit Bashkiak, përfaqësues të Njësisë Administrative dhe institucioneve të tjera lokale.
Me respekt dhe mirënjohje u përmendën një nga një emrat e dëshmorëve të Pojskës: Reshit Çollaku, Siri Kodra, Spiro Gjiknuri, Koli Gusho, Ali Arapi, Dilo Nezha, Ptoleme Xhuvani, Arif Kuka, Petrit Blloshmi, Isuf Leka
Çdo vit, kjo ceremoni mbetet një dëshmi e gjallë e kujtesës kolektive dhe një akt nderimi për ata që sakrifikuan jetën për lirinë e Shqipërisë. Duke vënë lule mbi varret e tyre, brez pas brezi përcjell mesazhin se gjaku i derdhur për liri nuk harrohet.

