Tre ngjarje të ndryshme, por me ndikim të drejtpërdrejtë në rendin dhe sigurinë publike, kanë çuar në fillimin e procedimeve penale ndaj tre shtetasve në qytetin e Korçës dhe fshatin Barç. Policia njofton se bëhet fjalë për një plagosje me thikë, një dhunë fizike dhe një rast të ndërtimit pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar të Komisariatit të Policisë Korçë, një 65-vjeçar me inicialet R. M., banues në Korçë, është proceduar pasi ka goditur me thikë një 67-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta. I plagosuri është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në një incident tjetër të ndodhur në fshatin Barç, 44-vjeçari D. Sh. është proceduar penalisht pasi ka dhunuar me grushte një 54-vjeçar. Edhe në këtë rast, shkaku i dhunës rezulton të jenë motive të dobëta.
Gjithashtu, një shtetas tjetër, me inicialet J. G., është kapur në flagrancë duke kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse, duke shkelur ligjin për ndërtimet.
Komunikata e plotë e Policisë:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
R. M., 65 vjeç, banues në Korçë, pasi ka goditur me thikë, një 67-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta;
D. Sh., 44 vjeç, banues në Barç, pasi ka goditur me grushte një 54-vjeçar, për motive të dobëta;
J. G., pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.”
Policia e Korçës thekson se do të vijojë me kontrollet dhe ndërhyrjet e menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe garantimin e rendit publik në territorin që mbulon.

