Një ngjarje e pazakontë dhe me rrezik për sigurinë ka ndodhur rreth orës 12:00 të mesditës së sotme në qytetin e Pogradecit, konkretisht në lagjen nr. 1, pranë Stadiumit të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, një nënë dhe djali i saj i mitur kanë mbetur të mbyllur në mënyrë të pavullnetshme brenda apartamentit të tyre. Mësohet se nëna ka mbetur e izoluar në ballkon, ndërsa fëmija ishte brenda njërës prej dhomave të banesës.
Fatmirësisht, falë njoftimit të menjëhershëm dhe reagimit të shpejtë të forcave zjarrfikëse të Pogradecit, është bërë e mundur ndërhyrja në kohë dhe shpëtimi i të dyve pa pasoja.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se operacioni u realizua me profesionalizëm, duke shmangur panikun tek banorët e pallatit dhe pa krijuar dëme në ambientet e banesës.
Autoritetet kanë nisur verifikimet për të kuptuar rrethanat se si ndodhi izolimi, ndërsa apelojnë për kujdes në raste të tilla, sidomos kur në banesë ka fëmijë të mitur.

