Lindi në Korçë më 14.01.1940, Dhionis Kotmilo, një ndër figurat kryesore publike në qytetin e Korçës, mbylli sytë përgjithmonë këtë të mërkurë, më 2 prill, në moshën 85-vjeçare. Kryebashkiaku model i juglindjes, i cili shërbeu në detyrën e kryetarit të bashkisë nga viti 1996 deri në vitin 2000, do të njihej si një figurë tepër bashkuese në Korçë, edhe gjatë trazirave të vitit 1997. Më herët ai ka drejtuar edhe Këshillin Bashkiak të qytetit.
Në vitin 2000, Kotmilo refuzoi të kandidonte për një mandat të dytë në krye të pushtetit vendor të asaj kohe, ndërsa pati një tërheqje graduale nga skena publike e politike.
Gjergji Kotmilo, vëllai i ish-kryebashkiakut, i cili prej vitesh jeton në SHBA, i emocionuar tha se kujtimi i vëllait të tij lidhet me qytetarinë, ndërsa ka lënë pas një respekt të madh te banorët e Korçës. Gjithashtu, në qeverisjen e tij pati shumë vështirësi.
Të shumtë kanë qenë qytetarët dhe familjarët të cilët u bënë pjesë e homazheve, ndërsa përmendën faktin që Robert Kotmilo ishte shembulli i qytetarisë model, që donte ta shihte vendin e tij sa më të begatë.
Dhionis (Robert) Kotmilo vitet e fundit të jetës i kaloi në varfëri, ndërsa jetoi i vetëm pasi nuk u martua apo solli në jetë fëmijë. Shembulli i tij pasqyron një zyrtar i cili nuk u pasurua nga pushteti dhe nuk shpërdoroi besimin e qytetit të tij. Muajt e fundit, komplikacionet e shumta shëndetësore u shtuan për të, ndërsa mëngjesin e sotëm ai ndërroi jetë.
Në një ceremoni private, morën pjesë në nderimin e figurës së tij familjarët, miqtë dhe qytetarët korçarë.

