Banorët e fshatit Goskovë, në njësinë administrative Voskop të Korçës, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm prej vitesh. Kjo situatë krijon vështirësi të mëdha në jetën e tyre të përditshme, pasi uji me orar që u vjen në çezma është i ndotur dhe i papërdorshëm për konsum. E vetmja mënyrë që banorët kanë për të siguruar ujë të pijshëm është burimi në qendër të fshatit, i cili është kthyer në një element të domosdoshëm, por njëkohësisht edhe një sfidë për ta.
“Në shtëpitë tona, uji vjen vetëm për pak orë, dhe kjo është e pamjaftueshme për familjet tona.”
Ndërkohë, sipas informacioneve zyrtare mbi situatën e ujit të pijshëm në këtë fshat, rezulton se deri më tani është kryer vetëm një investim për shpimin e puseve dhe ndërtimin e depozitave të ujit. Saktësohet se rrjeti i brendshëm i shpërndarjes nuk është investuar, ndërsa ujësjellësi aktual menaxhohet nga vetë fshati. Banorët paguajnë një tarifë mujore prej 100 lekësh.

