Në kuadër të 70-vjetorit të lindjes së At Spiro Katundit, u mbajt një koncert i veçantë në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, një përvjetor që At Spiro zgjodhi ta festojë mes miqsh dhe të ftuarve specialë.
“Koncert me dashurinë tuaj” ishte një pasqyrë e emocionit dhe gëzimit që At Spiro do të përjetonte gjatë mbrëmjes, duke zgjedhur jo vetëm miqtë me të cilët do të ndante skenën, por edhe repertorin e koncertit, që përfshinte një gamë të gjerë këngësh.
Për At Spiron, ky moment ishte shumë emocional, pasi ai ka kaluar 58 vite të jetës së tij duke ia kushtuar artit, duke kënduar, aktruar dhe shkruar poezi e drama që nga mosha 12-vjeçare.
Ai e konsideron këtë përvjetor si një mundësi për të ndarë gëzimin me ata që e kanë mbështetur në këtë udhëtim artistik të gjatë.
Në skenë u ngjitën artistë të njohur si Bashkim Alibali, Myfarete Laze dhe Liljana Kondakçi, të cilët kontribuan në pasurimin e atmosferës me performancat e tyre. Ky koncert nuk ishte vetëm një shfaqje muzikore, por një akt dashurie dhe respekti për artin dhe miqësinë.
Këngëtarja e njohur Myfarete Laze, e cila ka një miqësi të gjatë me At Spiron, mes emocionesh kujtoi momentet e kaluara së bashku në skenë dhe theksoi se miqësia mes tyre është një lidhje e veçantë, e cila ka mbijetuar dhe është forcuar me kalimin e kohës.
Ky koncert ishte një festë e vërtetë e artit dhe miqësisë, duke treguar se dashuria për muzikën dhe përkushtimi ndaj saj kalojnë përtej kufijve të moshës.

