Nga Daniela Zisi: Kë të qaj më parë, Primaret apo Sekondaret?
Sa herë t’i kthehesh për analizë Primareve të Korçës dhe listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë, aq herë mund të gjesh thagma, të cilat e delegjitimojnë plotësisht procesin.
I tillë është rasti i zonjës Albana Prifti, kryetarja e Forumit të Gruas prej 12 vitesh, nënkryetare e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, gruaja e fortë që ka sfiduar për numër votash në Kryesi edhe burrat, por që, habitshëm, nuk u përfshi në listën e kandidatëve.
Jo vetëm për shkak të staturës dhe profilit të lartë politik, por sidomos për shkak të votave që mori në Primare, asgjë nuk e përligj vendimin për ta lënë jashtë liste.
Prifti ishte gruaja më e votuar e anëtarësisë së Pogradecit, me 40 vota, thuajse aq vota sa mori në qark deputetja e Korçës, Sorina Koti.
Por emri i Priftit, për arsyen e mosarsyes që i bëhet arsyes, nuk ishte në listën e kandidatëve të qarkut të Korçës që PD dorëzoi afër mesnatës në KQZ.
Ç’ndodhi me listën e kandidatëve të Pogradecit?
Kush e nxori nga lista gruan më të votuar të Pogradecit dhe pse?
A është e njëjta dorë, e njëjta mendje, që nuk përfshiu në listë edhe një nga aktivistët më ekselentë të Pogradecit, Arbër Male?
Pse për disa kandidatë u konsiderua rezultati i Primareve, edhe pse me vota të vjedhura dhe kuti të mbushura me palaçollëk provincial, dhe për zonjën Prifti apo Arbrin nuk u pyet për votat?
Apo ishte vendosur para Primareve se cili duhet të ishte në listë dhe cili jo?
Mund të ngrihen pyetje pafund për rastet, por përgjigjja është e qartë për të gjithë:
Primaret ishin një festival i shëmtuar dhe i dështuar karnavalesh politike, nga dita e zgjedhjeve deri te lista përfundimtare, produkti i të cilës është garanci e padiskutuar për një rezultat turpërues në qarkun e Korçës.

